Tiranë, 4 Shtator, NOA Update – Qytetarët e Tiranës duhet të jenë të prirur që t’i braktisin veturat brenda kryeqytetit për të përshkuar distanca të shkurtra dhe të përdorin më shumë autobusët e transportit publik.
Ky ka qenë mesazhi që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka dhënë gjatë një konference të posaçme për problematikat e transportit në kryeqytet, duke pohuar si të domosdoshëm faktin e përmirësimit të kushteve të tij, në mënyrë që njerëzit që kanë makina t’i drejtohen atij për të siguruar lëvizjen.
“Për fat të mirë, nga operatorët privatë të qarkullimit rrugor ka një sensibilizim të mirë dhe interes që gjërat të ndryshojnë dhe për këtë ata janë gati të investojnë si për autobusë të rinj, ashtu edhe për përmirësim të shërbimit, ndaj duhet të përfitojmë pozitivisht nga kjo”, shtoi më tej kreu i Bashkisë.
Në fund tha se Bashkia e Tiranës, ka hartuar një masterplan, i cili parashikon nënshkrimin e kontratave me të gjithë operatorët e transportit publik për futjen e autobusëve të rinj, si edhe futjen e biletave elektronike.
n.e/NOA