Prishtinë, 4 shtator, NOA – Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Hondurasi hap një etapë të re njohjesh nga vendet e ndryshme të botës për shtetin e ri. Zëvendëskryeministri dhe Ministrit të Jashtëm Ilir Meta në një intervistë shprehet se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka sjellë një klimë të re për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Kreu i diplomacisë shqiptare flet dhe për Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shtuar dështimi i rezolutës serbe në Nju Jork do të ishte ndihma më e mirë që komuniteti ndërkombëtar do ti jepte vetë Serbisë.
Në intervistën e dhënë për “Radio Kosova”, Meta ndalet dhe në vizitën që ka zhvilluar ditët e fundit në Amerikën Qendrore dhe për lëvizjet e diplomacisë shqiptare gjatë ditëve në vazhdim në Nju Jork.
Zoti Meta si e vlerësoni njohjen e re të Kosovës nga Hondurasi?
Njohja e Kosovës nga Hondurasi është shumë e rëndësishme, duke patur në konsideratë se kjo është jo vetëm njohja e 70-të por mbi të gjitha njohja e parë pas Opinionit Këshillimor të GJND-së. Në këtë drejtim jam i bindur, sidomos pas këtij turi në Amerikën Qendrore, se njohja e konfirmuar sot zyrtarisht nga Hondurasi, është vetëm çelja e siparit të njohjeve të tjera në vazhdim, pasi pozita ndërkombëtare e Kosovës është forcuar së tepërmi pas Opinionit të GJND-së.
Zoti Zv. Kryeministër, para Hondurasit ju keni qëndruar edhe në vende të tjera të atij rajoni. A keni marrë sinjale nga këto vende për njohje të reja për Kosovën?
Unë nuk mund të shprehem publikisht për çështje të cilat padyshim do të marrin përgjigjen e duhur në kohën e duhur nga vendet përkatëse, por jam plotësisht i bindur se ashtu sikurse Hondurasi veproi sot, edhe vende të tjera do të procedojnë gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim, pasi tashmë një pjesë e madhe e këtyre vendeve që prisnin Opinionin e GJND-së, e kanë studiuar këtë opinion, i cili rezulton shumë i favorshëm për Kosovën.
Ndaj dhe me njohjen e bërë nga Hondurasi, mendoj se do të kemi një valë të pandërprerë njohjesh të reja nga vende të ndryshme, jo vetëm në kontinentin amerikan, por edhe kudo në rajone të tjera të botës.
Pas këtij turneu ju udhëtoni për në Nju Jork për takimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. A i keni finalizuar përgatitjet dhe ku do të fokusohen aktivitetet lotuese të diplomacisë së Shqipërisë gjatë ditëve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së?
Tashmë pas përfundimit të këtij turi takimesh pikërisht këtu në Honduras, unë do të zhvendosem për në Nju Jork, ku do të zhvilloj takime të vazhdueshme me përfaqësues të ndryshëm të të gjitha vendeve që e kanë njohur apo nuk e kanë njohur ende Kosovën, deri në diskutimin në Asamblenë e Përgjithshme të projekt-rezolutës së njëanshme të iniciuar nga Serbia.
Dhe tani që jemi tek projekt-rezoluta e paraqitur nga Serbia në OKB, a besoni në arritjen e një kompromisi para datës së caktuar për diskutimin e saj?
Që në fillim Bashkimi Evropian ka kërkuar që të evitohen iniciativa të njëanshme. Por për fat të keq, lidershipi i Serbisë ka vijuar në mënyrë unilaterale të nxisë një projekt i cili nuk është konstruktiv.
Ne shpresojmë sidoqoftë që në ditët e ardhshme të ketë një tërheqje të Serbisë, përndryshe pa dyshim që e vetmja rrugë që mbetet, është rrëzimi i kësaj projekt-rezolute, pasi iniciativat e njëanshme nuk janë të dobishme për rajonin tonë, dhe në radhë të parë nuk i shërbejnë as vetë Serbisë dhe të ardhmes së saj evropiane.
Ndaj dhe dështimi i kësaj rezolute do të ishte ndihma më e mirë që komuniteti ndërkombëtar do t’i jepte vetë Serbisë për të parë drejt së ardhmes.
a.k/NOA