Tiranë, 4 shtator, NOA – Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka zhvilluar sot një takim në Institutin e Integrimit të Ish-të përndjekurve politikë, ku u ka deklaruar anëtarëve të tij se deri tani, qeveria ka miratuar 250 milionë dollarë dëmshpërblim financiar për 6 541 prej tyre që kanë vuajtur nën regjimin komunist.
“Dëmshpërblimi i ish-të përndjekurve politikë një prioritet i qeverisë shqiptare po vazhdon me ritme të përshpejtuara që prej janarit të vitit 2009”, deklaroi Nishani.
Duke shtuar se “ngritja rreth 5 muaj më parë e arkivës dixhitale për ish-të përndjekurit politikë, si dhe ndryshimet e miratuara këtë vit në ligjin për dëmshpërblimin, që ka zgjeruar rrethin e përfituesve me të pushkatuarit dhe të dënuarit e përndjekur që nga 30 nëntori i vitit 1944, e kanë rritur edhe më tej intensitetin e bashkëpunimit mes ministrisë së Drejtësisë dhe Institutit të Integrimit të ish-të Përndjekurve politikë”.
Për këtë qëllim, Nishani trajtoi me drejtuesit e këtij instituti çështjet e dëmshpërblimit financiar për të gjithë ish-të përndjekurit që përfitojnë nga ligjin nr.9831.
“Deri më sot, me vendim të Këshillit të Ministrave është miratuar dëmshpërblimi financiar për 6.541 ish-dënuar politikë, me një faturë financiare 250 milionë USD, shumë kjo që do të shpërndahet në 8 këste. Ky grup ka përfituar nga kësti i parë shumën prej 30 milionë USD dhe nga këta, 2 495 persona janë përfitues të drejtpërdrejtë (janë gjallë)”, bëri me dije konkretisht Nishani.
Duke u deklaruar më tej përfaqësuesve të ish-të përndjekurve, se dëmshpërblimi financiar për ta do të jetë i shpejtë dhe brenda 3-mujorit të parë të vitit 2011 do të jetë gati procedura edhe për përfitimin e këstit të dytë.
Ministria e Drejtësisë po punon me intensitet për përfunduar procedurat për të gjitha kërkesat e depozituara për dëmshpërblimin financiar si dhe po trajton me prioritet ish-të dënuarit që janë ende gjallë, pa harruar vëmendjen edhe për pjesën tjetër të familjarëve që përfitojnë dëmshpërblim sipas ligjit.
n.e/NOA