Tiranë, 4 shtator, NOA – Pas deklaratave të ministrit të Ekonomisë Ritvan Bode për rritje të ekonomisë dhe të shtim të të ardhurave ka ardhur dhe reagimi i Partisë Socialiste. Deputeti Ilir Beqja në një deklaratë për mediat theksoi se shifrat që paraqet si rritje ministri i janë dhënë me telefon nga kryeministri Sali Berisha.
Ndërsa ka futur dhe vet Ministrinë e Financave në listën e institucioneve që do t’u përgjigjen akuzave për korrupison.
“Por së shpejti Ministri i Financave do të duhet të përgjigjet të paktën për pyetjeve që lindin nga lidhjet e korrupsionit me zyrën e tij”, u shpreh Beqja.
Deputeti i PS-së është ndalur në rritjen e çmimeve, shtimin e kredive të këqia dhe në nivelin e lartë të korrupsionit. Ai u shpreh se kostoja e jetesës e pensionistëve në muajin gusht është shtrenjtuar me 10 mijë lekë vetëm nga rritja e bukës, miellit, vajit dhe qumështit.
“Ku shkoi 6 mijë lekëshi që qeveria u dha si shtesë pensionistëve në Korrik? Sot pensionistët jetojnë më keq sesa 2 muaj më parë. Çfarë përgjigje ka ministri i financave për 530 mijë pensionistët mbi këtë varfërim të ri?”, tha ai.
Beqja theksoi se kreditë e këqija janë rritur brenda një muaji nga 12% në 13%, dhe pritet që deri në fund të vitit të arrijnë në 15%.
“Ajo që është më e rëndë për ekonominë, kreditë e këqija janë sot sa 5% e Produktit të Brendshëm Bruto. Si do të kreditohet ekonomia në kushtet kur papunësia është rritur, fitimet e sipërmarrjes kanë rënë, ndërsa borxhet e bizneseve e familjeve thellohen përditë?”, deklaroi deputeti i PS-së.
Beqja akuzoi ministrin e Financave për vendosje të gjobave në mënyrë selektive ndaj biznesit dhe lejim të korrupsionit. “A ndjen ndonjë shqetësim Ministri i Financave për faktet dhe provat që po dalin përditë në dritë nga transparenca që opozita po i bën veprimtarisë korruptive të pushtetit? Ndoshta Ministri i Financave është i zënë me vënien e gjobave ndaj biznesit, sidomos ndaj atyre që janë në listën e zezë të pushtetit si kundërshtarë”, u shpreh Beqja.
a.k/NOA