Tiranë, 4 shtator, NOA – “Zhvillimet e ekonomisë shqiptare janë tërësisht inkurajuese dhe dëshmojnë ringritjen e saj në ritmet më të larta. Të ardhurat për muajin gusht janë 20 % më të larta në krahasim me gushtin e vitit 2009 ose në vlerë leku rreth 4.8 miliard lekë më shumë se i njëjti muaj i vitit të kaluar”, ka deklaruar sot ministri i Financave, Ridvan Bode, në një konferencë për shtyp.
Sipas tij, “kjo rritje e të ardhurave vjen nga performanca më e mirë e administratës fiskale, të ardhurave të mbledhura në tatime dhe në dogana”.
“Për muajin gusht të ardhurat u realizuan në masën 102 % të planit ose 15 % më shumë se gushti i vitit 2009. Për t’u theksuar është rritja e qarkullimit të mallrave, që është dhe treguesi kryesor edhe për të matur performancën e ekonomisë reale. Gjatë muajit gusht në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar qarkullimi i mallrave është rritur me 11 %, e dëshmuar kjo nga arkëtimet e TVSH-së. Ndërkohë që administrata vijon me një politikë mbështetëse ndaj biznesit duke rimbursuar vetëm për muajin gusht 580 milion lekë ose sa dyfishi i gushtit të vitit të kaluar.
Administrata tatimore tejkaloi programin e muajit gusht me 107 milion lekë dhe realizoi 15 % më shumë të ardhura në krahasim me gushtin e vitit 2009.
Administrata doganore tejkaloi programin e saj me 187 milion lekë dhe realizoi 10 % më shumë të ardhura në krahasim me gushtin e vitit 2009.
Gjatë muajit gusht janë arkëtuar gjithsej 30 miliard lekë të reja në buxhetin e shtetit.
Nëse i referohemi shifrave të 8 mujorit që reflektojnë dhe dobësitë dhe ecurinë jo aq pozitive të ekonomisë në tremujorin e parë të këtij viti, të ardhurat janë gjithsej 6 më të larta në krahasim me vitin 2009 ose 11 miliardë lekë më shumë. Ato janë sa 99.4 % e programit buxhetor. Tatimet dhe doganat për periudhën 8 mujore janë sa 100.3 % e planit dhe 6 % më shumë se 8 mujori i vitit 2009. Qarkullimi i mallrave për 8 mujorin është 9.6 % më i lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Siç thashë kjo taksë mat dhe qarkullimin dhe xhiron e ekonomisë në tërësi, pra performancën e ekonomisë reale.
Biznesit në periudhën 8 mujore i është rimbursuar nga buxheti i shtetit rreth 6 miliard lekë TVSH kundrejt 1.8 miliard lekë që janë rimbursuar në të njëjtën periudhë të vitit 2009. Roli proaktiv i taksave, vijon për të mbështetur dhe ndihmuar me likuiditet biznesin për të gjitha ato biznese që kanë patur të drejtë për të përfituar rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Administrata doganore ka arkëtuar 15 % më shumë se 8 mujori i vitit 2009. Edhe administrata tatimore është në të njëjtin nivel. Të ardhurat nga taksat vendore janë sa 92 % e programit, edhe pse programi u korrigjua me ulje dhe vijojnë të mbeten ende 7.2 % më të ulëta se 8 mujori i vitit të kaluar. Ndërkohë që gjithë administrata tjetër ka një performancë tërësisht pozitive.
Totali i të ardhurave të arkëtuara për periudhën 8 mujore është 206 miliardë lekë nga 207 miliardë lekë të programuara.
Sikurse shihet dhe sidomos duke marrë në konsideratë ecurinë e ekonomisë përmes taksave, gjatë muajit gusht kemi një tregues të qartë të rimarrjes së ekonomisë reale krahasuar me një vit më parë, t një rritje ekonomike evidente, që do të thotë se edhe në perspektivë vijueshmëria e arkëtimit të të ardhurave në buxhet do të jetë po ashtu tërësisht pozitive, megjithëse programi është ambicioz deri në fund të vitit.
Ftoj opozitën që t’i lexojë shifrat siç janë dhe të shohë realitetin në sy, të kuptojë se ekonomia shqiptare tashmë ndodhet në ritmet e saj më optimale, më të larta dhe t’i japë fund përrallës së Ramës me gogol krize, pasi vetëm kështu mendoj se do të jetë në të njëjtin kah lëvizje me komunitetin e biznesit dhe ekonominë e vendit”.
Z. ministër, siç e thatë dhe ju ecuria e të ardhurave tregon dhe performancën e ekonomisë. Cili është vlerësimi juaj për rritjen ekonomike për vitin 2010?
Si Ministri e Financave ne bëjmë vetëm vlerësime, nuk bëjmë matje pasi këtë funksion e kryen INSTAT-i. Ndërkohë sipas vlerësimeve tona dhe kuadrit makro-fiskal të hartuar, ne presim një rritje ekonomike mbi 4%. Nëse ritmet do të vërtetohen në mënyrë vijuese edhe në muajt që vijnë, me të njëjtin temp të muajit gusht, rritja mund të jetë edhe më e lartë.
Z. ministër realizimi i planit të të ardhurave prej 99.4 %, që sapo njoftuat, është sipas planit fillestar apo sipas atij të ndryshuar?
Tani plani i janarit sikurse e dini u ndryshua që në janar. Ai nuk ishte disponibël që në janar, pasi kishte 30 miliard lekë shkurtime. Ju bënit analiza virtuale. Plani është ai që është buxheti i shtetit, që kemi hartuar dhe është miratuar në Kuvend dhe shifrat janë bazuar te ky plan.
Sa është realizimi i shpenzimeve?
Unë do të dëshiroja që t’ju vija në një konferencë tjetër me informacione më të detajuara, megjithatë mund të njoftoj se realizimi i shpenzimeve është 233 miliard lekë ndërsa të ardhurat janë 206 miliard lekë
Ç’pjesë të huamarrjes së programuar keni realizuar gjatë 8 mujorit? A ka rrezik të tejkalohet defiçiti?
Ju deklaroj se deficiti nuk do të dalë nga nivelet e programuara. Do ta respektojmë nivelin e planifikuar. Nuk ka asnjë tejkalim, siç u thashë është 1 miliard lekë diferenca. Huamarrja dhe borxhi shërbehet në procedurat sipas sigurisë maksimale për buxhetin dhe kostos më të ulët për taksapaguesit. Nuk do të ketë asnjë problem.
Cili është efekti i rritjes së akcizave dhe çmimeve në rritjen e të ardhurave?
Analizat më të detajuara mund t’i merrni tek administratat përkatëse, me gjithë mund t’ju them se nuk ka ndikim rritja e çmimeve, sepse duhet ta dini se disa prej tatimpaguesve më të mëdhenj në tregun vendas kanë ulur çmimet. Dhe kjo sipas një politike tregtare që ata kanë zgjedhur për të operuar.
Ju dhatë një shifër për rimbursimin e TVSH-së. Po pretendimet e biznesit sa janë?
Kërkesa është gjithsej për 7 miliard lekë dhe 6 miliard janë rimbursuar.
NOA