Lezhë, 5 Shtator 2010 NOA – Guximi për të vjedhur nuk njeh kufij, të paktën për dy djem laçianë që nuk kanë përtuar të plaçkitin një makinë edhe pse ajo ndodhej brenda mjediseve policore të bllokimit të automjeteve. Por “fati” nuk i ka përkrahur shumë gjatë sepse Drejtoria e Policise se Qarkut Lezhe ka arritur t’i kapë në flagrancë pikërisht ndërsa po çmontonin në banesën e tyre pjesën e këmbimit të vjedhur.
Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së sotme ne piken e ruajtjes se automjeteve ne qytetin Laç tek ish reparti i FNSH-së.
Atje është konstatuar se nje automjet i cili ishte i bllokuar dhe ishte lene ne ruajtje ne kete pike, i është vjedhur diferenciali i pasëm.
Kjo vjedhje u pikas nga policia dhe një grup hetimor u vu në lëvizje duke arritur në gjurmët e të dyshuarve që pasditen e sotme u arrestuan në kushtet e flagrancës.
Burime zyrtare policore i thanë agjencisë NOA se u bë arrestimi i dy vëllezërve Edmond dhe Mariglen Gjinaj, përkatësisht 23 dhe 20 vjeç, me banim ne qytetin Laç, që të dy, të dënuar më parë për vjedhje.
“Dy djemtë janë kapur në flagrancë në oborrin e baneses se tyre duke e çmontuar pjesën e automjetit, diferencial, pjesë që u sekuestrua ne cilesine e proves materiale”, - tha policia duke komunikuar dhe akuzën e radhës ndaj dy hajdutëve, për vjedhje të kryer në bashkëpunim.
a.b/NOA