English

Luftëtar i lirisë, i paatdhe.....

Të shkruash se sa i aftë është filan fisteku që i ka vjedhur 20 milionë euro në qeveri dhe të nxisësh popullin madje të dali në demonstrata e të protestojnë për të treguar "pafajësinë" është në modë. Po, po, të gjithë ata që vjedhin thesarin e shtetit dhe të popullit tonë i quajnë të pafajshëm se ata nuk erdhën në shtëpitë tona të na vrisnin për të na grabitur paratë, por i morën në qeveri

Reshat Sahitaj*

Të jesh shqiptar dhe të shkelësh në shekullin XXI është një privilegj i madh, sepse kjo është gjeneratë e vuajtjeve dhe e sakrificave kombëtare, por njëherësh jemi dëshmitarë dhe pjesëmarrës së tronditjeve dhe ndryshimeve të mëdha historike: lufta e UÇK-së, bombardimet e NATO-s caqeve serbe, largimin e forcave ushtarako-paramilitare serbe, shpalljen e pavarësisë dhe vendimi pozitiv i GJND-së për Kosovën. A nuk janë këto fakte të mjaftueshme që shqiptari i ditëve të sotme të përjetojë kënaqësinë personale dhe kolektive? Të thuash e të shkruash pa u frikësuar se policia serbe gjatë natës, ose në mëngjesin e hershëm të burgos? Disa familje të dëshmorëve skajshmërisht të varfra, do të përgjigjën negativisht, duke shtuar se biri im nuk ra në altarin e lirisë, që shumica e popullsisë sonë të zhytet në varfëri totale e një shtresë qeveritarësh të kenë pasuri përrallore më shumë se sheikët arabë. Disa invalidë të luftës, do përgjigjeshin se ne nuk kemi luftuar që fëmijët tanë të mos kenë kushtet elementare për t'u shkolluar, kurse fëmijët e pushtetarëve gjatë sistemit komunist të Millosheviqit, si dikur edhe sot gëzojnë të gjitha privilegjet.

I huaj në atdheun e tij

Po si do ishte përgjigjur një luftëtar i ditëve të hershme dhe të sotme, i cili sakrifikoi çdo gjë për shqiptarinë, e sot nuk i jepet asnjë nënshtetësi? I lindur në zemrën e shqiptarisë. I shkolluar në zemrën e Dardanisë (Universitetin e Prishtinës) . I çelikosur për çështjen kombëtare në Dardani dhe në qendër të Evropës. Qe nga paslufta i huaj në shtetin e tij, apo siç do të thoshte Rexhep Qosja - biri i askujt! Ka emër dhe mbiemër, por i ndalohet të ketë letërnjoftim dhe pasaportë, qoftë kosovare, qoftë shqiptare, qoftë atë të Maqedonisë. Rast unik. I vetmi njeri që i ndalohet hyrja në Kosovë, Maqedoni, Preshevë, Mal të Zi dhe në asnjë shtet të Evropës. Qe Evropa ia ndalon është normale, sepse ai që më kohë i ka refuzuar dokumentet e huaja. Si është e mundur, që një luftëtari të lirisë t'i refuzohet letërnjoftimi shqiptar?! Dikush në heshtje do më përgjigjët se nuk qenka aq personalitet i madh, se përndryshe shteti shqiptar qysh moti do ia kishte dhënë një letërnjoftim. Pajtohem me ata që mendojnë kështu, nga se vërtet shteti shqiptar ka dhënë pasaporta edhe rrugaçëve nga Kosova, por jo një luftëtarit të lirisë të trojeve shqiptare. Mirëpo nuk pajtohem se ky individ nuk është personalitet i njohur, sepse emri i tij është i njohur për çdo shqiptar, e ky është Gafurr Adili. Po, Gafurr Adili, që njihet si shef i Armatës Kombëtare Shqiptare. Kur në Serbi ekstremistët e gardës së Car Llazarit kërcënohen se do të hynë në Kosovë dhe do të masakrojnë përsëri shqiptarët, Gafurr Adili u thotë: Ejani, ne ju presim, por asnjëri prej jush nuk do kthehet i gjallë në Serbi. Kur situata keqësohet në Preshevë, Mitrovicë, Gostivar, Gafurri reagon jo vetëm kundër atyre që kërcënojnë, por edhe ndaj pushtetarëve tanë që kanë marrë përgjegjësi për të realizuar se paku të drejtat më elementare të shqiptarëve. Gafurri nuk ka asnjë të drejtë të pajiset me dokumente zyrtare të asnjë shteti. Nomens land në shtetin e tij! Biri i askujt! I paatdhe në atdheun e tij. Sikur agjencitë e huaja ndërkombëtare si Rojters-i , BBC, etj të mos flisnin për Gafurr Adilin, ne shqiptarët nuk do t'ia mësonim emrin e mbiemrin, sepse në mediet tona është e ndaluar të shkruhet për të. Për Gafurr Adilin në mediet tona duhet të shkruhet vetëm kur të ndodhë ndonjë ngjarje madhore dhe atë në kontekstin indiferent se dikur na hidhërohej UNMIK-u e tash.... (?!). Ne medie të tërë hapësirës shqiptare aktivitetet e Gafurr Adilit duhet të tejkalohen, të heshtën, të mos bëhet zhurmë e madhe, me një fjalë të injorohet. Sa më pak të përmendet emri i tij, aq më mirë pushtetarët e hapësirës shqiptare i mbushin xhepat me para.

Në atdheun e tij persona non grata

Gafurr Adilin Shqipëria e trajton si persona non grata, si njeriu që bredh ilegalisht territorin shqiptar, si njeri që ua prish relacionet diplomatike dhe vëllazërore me grekët. Pse t'ua prish relacionet kur greket po japin pare vetëm ta ndërrojnë emrin nga Agim në Costas, madje po u ofrojnë punë qindra- mijëra shqiptarëve. Vorio Epiri thonë greket është i yni, Vorio Epiri është i Greqisë, thonë edhe disa shqiptarë në pushtet, por Gafurr Adili po na i prish pak hesapet me shqiptarët e Çamërisë. Çka na duhet Çamëria kur ne nuk po mundemi t'i ngimë bukë qytetarët tanë, thonë disa pushtetarë që marrin pare të majme nga popët e Greqisë. Nuk duhet dhënë dokumente Gafurrit! Duhet të futet në burg! Dhe e futën në burgun e Shqipërisë! E futën në qelitë famëkeqe për ta mbushur mend të mos kërkojë realizimin e ëndrrave të rilindësve. E burgosën që t'ia bënin qefin vëllezërve grekë, dhe atyre matanë kufirit të Kosovës pak përtej Mitrovicës sonë.

Për shtetin maqedonas Gafurri trajtohet si nxitës i prishjes së bashkim-vëllazërimit ne mes popullit maqedonas dhe shqiptar. Maqedonia e akuzon si shef të AKSH-së, të cilit jo vetëm që nuk duhet të marrë pasaportë, por nëse kapet në viset shqiptare në Maqedoni duhet të vritet, ose të kapet i gjallë e të dënohet me vdekje. Thonë se shteti maqedonas nuk ka dënim me vdekje, sepse po i bashkohet familjes evropiane. Për Gafurrin ekziston një ligj sekret, që kur të bie në dorë të tyre të vritet e pastaj të deklarojnë zyrtarisht se u vranë grupet shqiptare rivale mes veti për qërim hesapesh. Nëse nuk deklarohen kështu, do thonë se u vra nga forcat e rendit, ngase rezistoi ta kontrollonim makinën e tij të stërmbushur me armë. Skenarë të ndryshëm kanë ata, për njerëzit që e duan atdheun. Shqiptari në Maqedoninë e lirë e demokratike i gëzon të gjitha të drejtat dhe lirinë e plotë dhe mund të bëjë çdo gjë: të ngjitët në lartësitë e pushtetit, të vjedhin më shumë se vetë kolegu maqedonas, të deklarohet se luftoi për të drejtat e shqiptarëve e të veprojë ndryshe, të korruptohet me tenderë të aeroportit e të tjera, vetëm një e drejtë i ndalohet - ta dojë atdheun. Pasi i paskan gati të gjitha të drejtat, çka po ankohet Gafurr Adili vetëm për një pikë, për një padrejtësi?! Natyrisht kështu i kanë thënë Gafurrit edhe shumë të tjerë para jush, por ai kokëfortë siç është ka vendosur t'i shkojë deri në fund idesë së tij për bashkim dhe unifikim të shqiptarëve. Shumë kërkuake, i kishte thënë një zyrtar i lartë i Shqipërisë dhe një tjetër i Kosovës. Rri rahat dhe do e kesh pasaportën, para sa të duash e fundi i fundit shtetësi, që do të thotë adresë për të jetuar si tërë bota. Jo, ishte përgjigjur Gafurri dhe kishte shkuar të Bamir Topi për të kërkuar një letërnjoftim të mëmës Shqipëri. Zyrtarët më lartë të shtetit shqiptar e prisnin me dreka dhe biseda të ngrohta, e madje vëllazërore e jo si në kohën e komunizmit kur thoshin vëllezërit rusë ose vëllezërit kinezë, por tash vëlla shqiptar i thoshin dhe e largonin për të mos e takuar kurrë më. Me vite të tëra e ftonin në biseda "vëllazërore" dhe e këshillonin të hiqte dorë nga ideja e bashkimit të shqiptarëve. Si mund të unifikohen 8 milionë shqiptarë?! E këshillonin se as Amerika e as Evropa nuk donë bashkimin e krejt shqiptarëve në një shtet dhe se kjo ishte ide utopike. Shiko sa keq po heqin amerikanët duke luftuar në tërë rruzullin e tokësor, po të mos i kishin bashkuar të gjitha shtetet për ta krijuar SHBA-në, sot djemtë e tyre nuk do t'i dërgonin në luftëra të ndryshme për të siguruar paqe në botë. Mos na i prish rehatinë se u kënaqëm pare pa punuar asgjë. Shiko, greket na japin pare pa punuar vetëm se ua lejojmë zyrtarisht ndërrimin e emrit dhe religjionit. Myslimanët na japin pare vetëm se i lejojmë që vajzat tona t'i vënë shamitë e të ngopën hurme dhe ne vend të ndërtimit të shkollave të ndërtojnë xhamitë e tyre, serbët na japin pare vetëm pse u lejohen institucionet paralele dhe eventualisht ta ndajnë Mitrovicën. Ku keni pare të fitohet paraja pa prek punë me dorë?! Askund në botë, vetëm në hapësirat shqiptare.

Vetvetes therë në këmbën e shëndoshë

Gafurri e dinte dhe e di se ata që e këshillonin ashtu ndoshta kishin një prapavijë tjetër dhe të shtyrë nga tjetërkush, por jo nga amerikanët e as nga evropianët. Evropianët dhe amerikanët janë simpatizues të vullnetit shumicë të popullit që ata vetë të vetëvendosin.

Të shkruash për luftëtarët e tillë është e demoduar. Në kohën e sotme në modë janë shkrimet për personalitetet politike që u pasuruan brenda natës dhe ato shkrime mund t'i botosh në të gjitha gazetat ditore, pa censurë. Të shkruash për lakuriqësinë e ndonjë këngëtare që dikur ishte shfalerka e Arkanit e sot shfalerkë e ndonjë personalitetit tonë, të lexojnë më shumë dhe asgjë nuk rrezikon. Të shkruash se sa i aftë është filan fisteku që i ka vjedhur 20 milionë euro në qeveri dhe të nxisësh popullin madje të dali në demonstrata e të protestojnë për të treguar "pafajësinë" është në modë. Po, po, të gjithë ata që vjedhin thesarin e shtetit dhe të popullit tonë i quajnë të pafajshëm se ata nuk erdhën në shtëpitë tona të na vrisnin për të na grabitur paratë, por i morën në qeveri. Po, pse parët të rrinë të mbyllura në terr kur ato mund të dalin në dritë përmes qeveritarëve tanë. Kësi lloj temash janë të preferuara nga pushtetarët tanë dhe disa gazeta tonat. Për luftëtarët si Gafurr Adili e të tjerë nuk ia vlen të shkruash, sepse vetes ia fut therën në këmbë të shëndoshë.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë pikëpamje personale

KOMENTE