Tiranë, 5 shtator 2010 NOA – Deputetja e Partisë Socialiste Shega Ligori doli sot para mediave për të akuzuar edhe një herë mazhorancën se po e përdor shtetin shqiptar për ta vënë atë, në dispozicion të pasurimit të familjeve politike.
“Kapitulli i tretë i korrupsionit për të cilin ju folëm dje, zgjerohet sot edhe më shumë. Historia e Deputetes Rajmonda Bulku me koncesione hidrocentralesh rezulton të jetë më e komplikuar. Arsyeja është e thjeshtë:bashkëshorti i deputetes Bulku, njëherazi administrator dhe përfaqësues ligjor i firmës që ka përfituar koncesionin për ndërtimin e dy hidrocentraleve “Bënçë” dhe “Tepelenë”, është edhe familjar i afërm i ministrit që ka firmosur këtë koncesion, ish-ministrit të ekonomisë, Deputetit Genc Ruli”, - tha Ligori, duke përfshirë kështu një ministër të tretë dhe një deputete të radhës, në akuzat e përditshme për afera të dyshuara korruptive.
Sipas Ligorit, ajo çka të bën përshtypje në këtë aferë është fakti se pikërisht kur afati i përcaktuar për fillimin e investimeve për koncesionin në fjalë po shkonte drejt skadimit, hyn në lojë zoti Fatos Pashko, bashkëshort i deputetes Bulku dhe familjar i ministrit Ruli. Pikërisht në këtë moment, pra kur firma e përfaqësuar nga zoti Pashko bëhet pjesë e koncesionit, problemet e afateve zgjidhen si me magji.
Edhe në këtë rast, - tha Ligori, - si në rastin e deputetes Albana Vokshi, si në rastin e ministres Bregu, shohim se si i gjithë shteti vihet në dispozicion të pushtetit, për të përfituar dhe vjedhur pasurinë e shqiptarëve, përmes një veprimtarie që mund të quhet me plot gojë, veprimtari e pastër kriminale.
Ndërkohë QKR sipas Ligorit, vazhdon të luajë rolin e saj si “one-stop-shop” i korrupsionit, duke fshehur nga publiku dokumentet e koncesionit dhe krijimit të konsorciumit që ka marrë hidrocentralet.
Megjithatë nuk mbaron me kaq, paralajmëroi Ligori kur tha se “nesër Partia Socialiste do të bëjë publike një mega – aferë të re e cila do të tregojë përsëri lidhjet e ngushta mes interesave private të pushtetit dhe pasurimit të familjeve politike në kurriz të të gjithë shqiptarëve”.
e.r/NOA