English

Shteti më në fund lëviz, ndërpret aktivitetin e kompanisë Itali Airlines-Star Airways

E vërteta është se vetëm sot është bërë sensibilizim i opinionit publik për vonesat e papërgjegjshme të kompanisë së fluturimeve. Që kur ajo nisi punën me linjat shqiptare në drejtime ndërkombëtare, Itali, vonesat ishin rraskapitëse kurse përgjegjshmëria e zyrtarëve të saj dhe stafit, thuajse në nivelin zero

Tiranë, 5 Shtator 2010 NOA – Më në fund shteti është zgjuar dhe ka vendosur të qëndrojë paksa pranë qytetarëve të rraskapitur që mashtrohen dhe nëpërkëmbën nga kompani fantazmë dhe të papërgjegjshme si ajo e fluturimeve Star Airways që punon me dy emra, përfshirë atë Itali Airlines. E ashtu si Belleair rëndom i ka “mrekulluar” qytetarët duke shkaktuar shpesh skandale të torturimit të udhëtarëve me zvarritje, vonesa dhe anulime të vazhdueshme, gjë që ka vazhduar disa herë dhe me Albanian Airlines, është radha e “pseudoitalianëve” të Star Airways që të zgjojnë vëmendjen e shtetit.

Drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku, doli sot para mediave dhe deklaroi se situata me kompanine ”Itali Airlines” është e paprecedentë dhe njoftoi ndërprerjen aktuale te aktivitetit të saj.

Mazniku shprehu shqetësimin për situatën e krijuar në aeroportin ndërkombëtar, “Nënë Tereza” me pasagjerët, të cilët kanë mbetur të pa transportuar nga ana e kompanisë italiane “Itali Airlines” para se të lajmëronte se Autoriteti Aviacionit Civil, pezullon operimin e kësaj kompanie.

“Itali Airlines” është një kompani komunitare, italiane, në juridiksion të plotë ligjore të të Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian. Autorizimi, për të filluar operimet nga Shqipëria është dhënë në maj të 2010”, - sqaroi Mazniku.

Ai theksoi se kompania italiane duhet të zbatojë të gjithë detyrimet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me mbrojtjen e pasagjerëve dhe me respektimin e kontratës me pasagjerin, pra në rastin konkret, bileta.

Nga ana e kompanisë italiane ‘Itali Airlines’, Autoriteti Aviacionit Civil nuk ka asnjë lloj komunikimi zyrtar, me shkrim, apo komunikimi informal, i cili mund të thoshte që kompania mund të ketë probleme teknike, apo edhe probleme të tjera të cilat e pengojnë atë të zbatoj detyrimet kontraktuale me pasagjerët.

“Në rastin kur, kompania do të kishte probleme teknike, apo nuk mund të zbatonte, apo respektonte operacionet, ajo duhet të bënte së pari, njoftim me shkrim, dhe së dyti, duhet të bënte një kërkesë për mbrojtjen e pasagjerëve nëpërmjet një operatori tjetër ajror.

Pra të organizonte fluturime charter për të marrë pasagjerët nga Shqipëria apo Italia dhe për t’i sjellë ato në Shqipëri apo Itali”, - tha Mazniku.

Është një situatë e paprecedent, e cila nuk ka ndodhur kurrë më parë në historikun e Aviacionit Civil Shqiptar, që një kompani të braktisë pasagjerët e saj në këtë formë, sikurse ka bërë kompania Italiane, “Itali Airlines”.

Autoriteti Aviacionit Civil Shqiptar, në funksion të përmbushjes së detyrimeve të tij, të ruajtjes së standardeve ndërkombëtare të operimit, është i detyruar të pezulloj operimin e kompanisë italiane, “Itali Airlines”, deri në një moment të dytë, pra, pasi të sqarohet situata me kompaninë dhe me Entin Kombëtar të Aviacionit Civil Italian, - deklaroi z.Mazniku.

Ai siguroi se në funksion të zbardhjes së vërtetës, Autoriteti Aviacionit Civil Shqiptar ka kontaktuar me ambasadën Italiane të akredituar në Shqipërisë, ashtu si dhe me Entin Kombëtar të Aviacionit Civil Italian.

E vërteta është se vetëm sot është bërë sensibilizim i opinionit publik për vonesat e papërgjegjshme të kompanisë së fluturimeve. Që kur ajo nisi punën me linjat shqiptare në drejtime ndërkombëtare, Itali, vonesat ishin rraskapitëse kurse përgjegjshmëria e zyrtarëve të saj dhe stafit, thuajse në nivelin zero.

e.r/NOA

KOMENTE