Rubik, 6 shtator, NOA – Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” dhe presidentja e tij, Liri Berisha, u uruan sot ditën e parë të shkollës nxënësve të Rubikut.
Kjo ditë u bë krejt e veçantë në oborrin e shkollës 9-vjeçare të Rubikut, pasi për 100 nxënës, të përzgjedhur nga familje të varfra nga gjithë shkollat, u dhuruan komplete librash dhe nga një çantë shkolle për secilin nxënës që ulet në bankat e klasës së parë.
Në fjalën përshëndetëse, zonja Berisha pasi uroi të gjithë nxënësit e këtij rrethi për një fillim të mbarë, ndër të tjera theksoi se këta fëmijë kanë shumë ëndrra, por ëndrrat e kanë fillimin te shkolla dhe te librat.
“Ju do mësoni me këto libra, do keni rezultate të larta e kështu do të bëheni qytetarë të nderuar të këtij vendi. Sivjet arritëm të siguronim 100 komplete librash dhuratë dhe 100 çanta për nxënësit e klasave të para, por në të ardhmen ne do vijmë sërish në Rubik”, - u shpreh ndër të tjera, presidentja e Fondacionit “Fëmijët shqiptarë”.
Këto dhurata u realizuan nga bashkëpunimi me shtëpinë botuese Media Print dhe “City Park” të cilët vlerësuan këtë bashkëpunim e premtuan se ai do vazhdoje dhe në të ardhmen.
“Ne e kemi pjesë të biznesit tonë kontributin për fëmijët në nevojë”, - theksoi Elvis Themeli, botues i “Media Print”.
Duke shtuar se megjithë vështirësitë teknike të sigurimit të këtij kontigjenti librash, pasi shkollat marrin nga botues të ndryshëm, ata për 100 nxënësit e këtij rrethi i blemë librat nga botues të tjerë.
Edhe drejtorja e këtij enti botues, Anila Bisha, vlerësoi bashkëpunimin me Fondacionin “Fëmijët shqiptarë” dhe siguroi një plan më të gjerë bashkëpunimi në të ardhmen, sepse, si theksoi ajo, të dhurosh libra, është shenjë mbarësie jo vetëm për fëmijët që i morën ato, por edhe për çdokënd që e bën këtë dhuratë.
Ndërsa përfaqësues të “City Park” theksuan dëshirën për të vijuar më tej bashkëpunimin me Fondacionin “Fëmijët Shqiptarë”.
Më tej, në fjalën e tyre përshëndetëse drejtues të pushtetit lokal, drejtori i DA të Rubikut vlerësuan këtë ndihmë të fondacionit për familjet në nevojë të rrethit të Rubikut dhe falenderuan zonjën Berisha për vëmendjen ndaj këtyre fëmijëve.
Ndërsa në emër të ministrisë së Arsimit, përshëndeti zv/ministrja, Nora Malaj, e cila theksoi kujdesin e institucionit që ajo përfaqëson për gjithë arsimin shqiptar dhe për investimet në rrethin e Rubikut në veçanti.
n.e/NOA