English

Kapet autori që shpërtheu me dinamit pllakat pranë Fierzës, për nxjerrjen e hekurit

Shkodër, 6 shtator, NOA – Lidhur me shpërthimin e eksplozivit një natë më parë pranë hidrocentralit të Fierzës policia e Shkodrës ka mbërritur në përfundimin se shpërthimi ndodhi rreth 20 m larg Urës së Drinit, në disa pllaka betoni, të cilat nuk kanë lidhje me rrugën.

Policia dyshon se lënda e përdorur për shpërthim ishte Amonit malor e njohur si dinamit dhe se personi që ka kryer shpërthimin ka patur si objektiv thyerjen e pllakave të betonit për të nxjerrë hekur.

Pas veprimeve hetimore policia identifikoi dhe kapi autorin e ngjarjes, 40 vjeçarin Bashkim Gjoka, banues në fshatin Gropa, të komunës Fierzë të rrethit të Pukës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi si provë materiale 84 kapsolla detonatore, elektrike, si dhe 165 cm. fitil zjarrpërcjellës.

Bashkim Gjoka u kap në qytetin e Kukësit dhe po ndiqet penalisht për veprat penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe mbajtje të lëndëve plasëse pa leje.

mit/NOA
KOMENTE