English

Miratohet Strategjia për Reformën në Sistemin e Urgjencës Mjekësore

Tiranë, 6 shtator, NOA – Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka miratuar sot Strategjinë për Reformën në Sistemin e Urgjencës Mjekësore, një strategji kjo e përgatitur në bashkëpunim me Organizatën Boterore të Shëndetësisë.

Këtë miratim e bëri publik, Drejtori i Përgjithshëm i Politikave, Pëllumb Pipero, i cili në një konferencë për shtyp u shpreh se « kjo strategji synon të sigurojë standart bashkëkohor të ofrimit të shërbimit të urgjencës për të gjithë pacientët e pranuar, duke skicuar aspektet kryesore të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore dhe të ofrojë këshilla praktike për një reformë politike në këtë shërbim”.

Zoti Pipero tha ndër të tjera se konceptet e përpunuara dhe të paraqitura në këtë dokument sigurojnë një bazë mbi të cilën mund të planifikohen dhe vihen në praktikë alternativa të ndryshme për një reformë në Sistemin e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore.

Sipas Piperos përgatitja dhe miratimi i këtij dokumenti u bë i domosdoshëm për shkak të shfrytëzimit të ulët të Shërbimit të Urgjencës Mjekësore; për shkallën tejet të ulët të përdorimit të ambulancave të urgjencës për transportimin e pacientëve; për nevojën e trajnimeve profesionale veçanërisht për mjekët e urgjencës dhe ndihmësit e tyre; prej mungesës së standartizimit apo shërbimit klinik dhe përkufizimeve; për mbajtjes jo mirë të të dhënave mbi pacientin; mungesën e kapaciteteve diagnostikuese për kryerjen e testeve bazë dhe atyre të shpëtimit të jetës si dhe mungesën e një sistemi të mirëfilltë referimi.

Kjo strategji ka për qëllim të mbështesë Ministrinë e Shëndetësisë për rritjen e cilësisë së shërbimit në kujdesin para-spitalor, rritjen e imazhit për komunitetin; arritjen e nivelit sa më të lartë të mundshëm të cilësisë së Shërbimit të Urgjencës me asetet dhe burimet që ka në dispozicion; sigurimin e detyrimeve statutore nga shërbimi i urgjencës; realizimin e vlerës më të mirë financiare për të rritur maksimalisht burimet për kujdesin dhe shërbimin ndaj pacientit; të inkurajojë dhe zhvillojë shërbimin e urgjencës si pjesë integrale e sistemit shëndetësor si dhe të rrisë vetëdijen në popullatë mbi përparësitë e përdorimit korrekt të shërbimit të urgjencës mjekësore.

Disa nga objektivat specifike të kësaj strategjie janë të krijojë një paketë bazë të shërbimeve dhe asistencës mjekësore të urgjencës që do ti jepet popullatës pa pagesë dhe sipas standarteve të aplikuara njëlloj në të gjithë vendin si dhe të krijojë mjetet për vendim marrje të shpejtë dhe të saktë në diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive kryesore të shërbimit të urgjencës sipas konsultës të ekspertëve profesionistë.

Gjatë kësaj konference, drejtori Pipero bëri me dije për mediat se me përfundimin e fazës së parë të QSUT-së, në godinën e re është ngritur departamenti i urgjencës i pajisur me aparaturë bashkëkohore për funksionimin e saj.

Pipero tha se nesër do të inaugurohet spitali i ri i Kavajës, në të cilin ështe konceptuar edhe shërbimi i urgjencës mjekësore.

Tashmë me një projekt të financuar nga qeveria japoneze po pajisen 14 departamentet e urgjencës, ndërkohë që bazuar mbi protokollin e bashkëpunimit me Italinë, janë akorduar 4.5 milion euro, për të asistuar në implementimin e strategjisë për reformën në urgjencën mjekësore.

mit/NOA
KOMENTE