English

Olldashi: Në 5 vite, investimet për shkollat në Fier, plot 10 miliard lekë

Fier, 6 shtator, NOA - Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi zgjodhi shkollën e Vilishtit, në komunën Kuman, të Fierit për t’i uruar të gjithë nxënësve të shkollave, një vit sa më të mbarë shkollor.

Ai i siguroi atyre se vetëm në 5 vitet e fundit qeveria ka investuar në shkollat e qarkut të Fierit rreth 1 miliard lekë të reja ose 10 miliard lekë të vjetra.

Ministri Olldashi u shpreh i kënaqur, që nxënësit e shkollës së Vilishtit, por jo vetëm, do të kenë mundësi të akomodohen në ambjentet komode dhe moderne, të shkollës së rikonstruktuar.

“Jam shumë i kënaqur, që mund të vijmë në ditën e parë të këtij viti shkollor, me një numër shumë të madh investimesh të kryera tashmë, në infrastukturën e arsimit”, theksoi zoti Olldashi, duke nënvizuar se një numër i madh shkollash janë rikonstruktuar dhe ndërtuar nga e para në të gjithë qarkun e Fierit.

Ministri i Punëve Publike tha ndër të tjera se janë ndërtuar dy institucione parashkollore, 26 shkolla 9-vjeçare, 4 shkolla të mesme, dy shkolla profesionale, ndërsa janë drejt përfundimit edhe tre gjimnaze të reja.

mit/NOA

KOMENTE