English

Patozi: Të hapur për hetimin e zgjedhjeve, edhe për rinumërimin e votave

Tiranë, 6 shtator, NOA – Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi në fjalimin e tij të mbajtur në sallën ovale dhe të re të parlamentit deklaroi bindjen se “kjo mazhorancë nuk ka asnjë kompleks për transparencësn e gjithçkaje që ka të bëjë me përgjegjësitë e saj dhe të institucioneve të shtetit shqiptar, dhe këtu përfshihen padyshim edhe zgjedhjet e 28 qershorit”.

Nisur nga deklaratat e kreut të grupit socialist, Gramoz Ruçi, kryetari i grupit të deputetëve demokratë theksoi se “Ndoshta sot është vendi për t’i dhënë një përgjigje shterruese ankthit publik, që mund të ekzistojë për riciklimin e atij që ne e quajmë ngërc politik dhe Partisë Socialiste i pëlqen ta konsiderojë si krizë.

Sipas Patozit ndryshe nga dy sesionet e mëpërparshme, kur, opozita la bosh karriget e saj në parlament në gati gjysmën e tyre, “të shpresojmë që retë e trilleve të panevojshme dhe të sjelljes politike të parsyeshme të jenë larguar një herë e përgjithmonë dhe që nisja e këtij sesioni të bartë me vete edhe simbolikën e një klime që i përshtatet edhe fytyrës së re europiane të kësaj aule parlamentare”, nënvizoi zoti Patozi.

Patozi në emër të demokratëve siguroi se “ne jemi plotësisht të gatshëm që në rast se merret një përgjigje pohuese nga Komisioni i Venecias, të shkojmë përtej pretendimeve të sotme dhe të djeshme të Partisë Socialiste, por të rinumërojmë çdo votë dhe të ndryshojmë edhe vetë rezultatin, në rast se do të konstatohen deformime, që e kërkojnë një gjë të tillë”.

“Jemi gjithashtu të gatshëm ta ngremë komisionin menjëherë sapo të plotësohen procedurat ligjore dhe të hetojmë të gjitha çështjet e kërkuara nga opozita, brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues të vendit. Dhe për këto nuk kemi qëndruar në pritje dhe as kemi shpresuar që koha të rrjedhë, por kemi bërë të gjitha koncensionet e mundshme”, garantoi deputetët kreu i grupit demokrat.

“Gjithcka tjetër që thuhet i përngjet legjendës së Gurit të Sizifit dhe unë do të doja t’ia kurseja vetes neverinë që mund t’i shkaktonte qytetarëve shqiptarë rikthimi tek argumentat e shtatorit të kaluar, të cilat janë përsëritur deri në dhimbje përgjatë më shumë se një viti kalendarik”, bëri me dije zoti Patozi.

Sipas tij, sy sesion parlamentar është ai i finalizimit të një procesi jetik për këtë vend, liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, andaj për këtë arsye kjo mazhorancë duhet të ndjehet kreanre me faktin, që shumica e reformave, që po çojnë në realizimin e kësaj ëndrre, morën udhë dhe u mishëruan pikërisht në këtë sallë.

“Po afrohet me shpejtësi dita që i jep fund një ankthi më shumë se 70 vjeçar të një raporti inferior të Shqipërisë me pjesën tjetër të kontinentit. Po sa më shumë që afrohet ajo datë historike, aq me tepër vjen në vëmendje dhe në kujtesë të publikut kontributi dhe merita individuale dhe kolektive për të mbërritur deri aty. Është një prej premtimeve më të mëdha të mbajtura të kësaj mazhorance, një ndër lajtmotivet e fushatës sonë më 28 qershor”, tha kreu i demokratëve Patozi.

Sipas tij, peshën e madhe të këtyre premtimeve nuk e zbehin dot as akuzat e mjera për gjoja vonesa të procesit, të cilat vijnë, sipas Patozit, nga një xhelozi e pajustifikuar politike.

Ndërkaq zoti Patozi theksoi se sesioni i ri parlamentar, do të jetë një sesion reformash dhe hapash të mëtejshëm të Shqipërisë drejt hapësirave euroatlantike.

Duke iu referuar reformave Patozi tha se “Ato janë të pandalshme, sepse kjo është rrugë me sens unik. Por fakti që në kalendarin e punimeve të Kuvendit qëndrojnë pezull një tufë ligjesh që kërkojnë një shumicë të cilësuar, nuk na nderon aspak. Aq më tepër kur pothuajse për të gjitha ato nuk ka divergjenca thelbësore për të cilat palët ndahen midis tyre, por është thjesht një vendim politik, që mban peng normalitetin demokratik të këtij parlamenti. Dhe kjo bëhet me qëllim, sepse dihet që parlamenti është pasqyra më e qartë, ku reflektohet stadi i zhvillimit jo vetëm politik të një shoqërie të lirë”, nënvizoi zoti Patozi.

Duke folur me gjuhën e bashkëpunimit me opozitën për zgjedhjet e ardhshme lokale, zoti Patozi theksoi se “Ne dëshirojmë dhe do të bëjmë çdo përpjekje që ato të jenë më të mira se sa zgjedhjet e 28 qershorit, pavarësisht se këto të fundit ishin të shkëlqyera. Por të gjithë e dimë se nuk mjafton asnjëherë vullneti i një pale për ta arritur këtë qëllim”.

Ai garantoi gatishmërinë e mazhorancës për të votuar çdo propozim dhe amendament të opozitës, pasi ato të ketë kaluar në filtrin e institucioneve më të specializuara ndërkombëtare.

“Kjo është e vetmja autostradë nga kalohet për të rritur garancitë për zgjedhje sa më korrekte dhe sa më të përmirësuara. Por në rast se na vihet sërish përpara me xhiro të ngadalësuara telenovela e pseudotrasparencës dhe dilema johamletiane “ta hapësh, apo të mos e hapësh”, ne kemi të gjithë të drejtën e botës të dyshojmë se ka një vullnet diabolik, i cili në rastin më të keq, kërkon të nxjerrë jashtë zgjedhjeve, që do të thotë jashtë sistemit, Partinë Socialiste dhe ta mbajë të tensionuar atë dhe debatin politik, deri në çastin e fundit, njësoj siç ndodhi edhe me mandatet e kolegëve tanë socialistë”, deklaroi deputeti Astrit Patozi.

Në fund ai uroi që opozita të bashkëpunojë duke siguruar deputetët socialistë se axhenda e reformave integruese nuk ndryshon, porse çështja e vetme që mbetet për t’u parë është në do ta bëjnë bashkë apo ndaras këtë copë rrugë, të mbetur, mazhoranca dhe opozita.

mit/NOA
KOMENTE