Durrës, 6 shtator, NOA - Fillimi i vitit të ri shkollor 2010-2011 i ka angazhuar shërbimet e policisë në drejtim të sigurimit të rendit dhe sigurisë në shkolla.
Këtë fakt, Policia e Durrësit e ka bërë me dije përmes një komunikate të veçantë duke sqaruar se “një plan i veçantë masash i ka paraprirë ditës së parë të shkollës me qëllim garantimin e qetësisë publike, nisur nga fluksi i madh i nxënësve e prindërve në afërsi të mjediseve mësimore; parandalimin e aksidenteve rrugore, duke marrë masa veçanërisht në kryqëzimet në afërsi të shkollave”.
“Kjo ka bërë që përgjatë ditës së parë të shkollës në territorin e qarkut të Durrësit të mos shënohet asnjë incident apo ngjarje”, bën me dije komunikata.
Duke shtuar se ky plan masash ka parashikuar edhe detyrime të Policisë së Shtetit përgjatë vitit mësimor në funksion të rritjes së sigurisë në institucionet arsimore si dhe në rrugë apo vendet e akomodimit të studentëve.
“Kështu, një detyrë e rëndësishme ka të bëjë me planizimin e shërbimeve të Policisë përgjatë orareve më problematike si ato të fillimit të procesit mësimor, në kohën e pushimit, të daljes nga shkolla si dhe të sezonit të provimeve. Shërbime policie, civile dhe me uniformë, janë planifikuar me shërbim në afërsi të institucioneve arsimore përgjatë gjithë vitit mësimor”, citon më tej komunikata.
Duke shtuar se paraprakisht është marrë kontakt me gjithë drejtuesit e shkollave 9-vjecare, të mesme dhe rektoratin e Univeristetit të Durrësit, me qëllim evidentimin e nxënësve apo studentëve më problematikë, me prirje për veprimtari kriminale dhe të prishjes së rendit e qetësisë në shkolla.
n.e/NOA