English

Rreziqet nga rrymat ekstremiste fetare në Maqedoni

Shkup, 6 Shtator, NOA – Vlerave kombëtare dhe atyre fetare do të duhej t’u kushtohet më shumë vëmendje që ato të ruhen nga ndikimi i lëvizjeve të ndryshme radikale.

Ky ishte ky vlerësimi i profesorëve, analistëve dhe përfaqësuesve fetarë në një konferencë të organizuar në Shkup.

Nga ana e tij, kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi theksoi se shqetëson fakti i tendencave për lëkundje të fesë islame në Maqedoni.

Situata e këtillë, sipas tij, mund të tejkalohet vetëm duke u mbështetur në vlerat e mirëfillta islame.

“Për fat të keq kohëve të fundit ka plasaritje të tendencave të huaja të cilat duan që realitetin tonë ta falsifikojnë si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në aspektin kombëtarë. Prandaj ky popull kam bindje se asnjëherë nuk e ka duruar as nuk do ta duron; pra kanë gjet një truall të pafrytshëm pra ku ata janë orientuar këtu në trojet tona në Ballkan respektivisht në Kosovë, Maqedoni në Shqipëri dhe më gjerë’, deklaroi Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI- së.

Ndërsa, drejtori i Qendrës shqiptare të studimeve për siguri kombëtare në Tiranë, Xhavit Shala, theksoi se feja është e lidhur ngushtë edhe me sigurinë e kombit andaj bëri thirrje për kultivimin e islamit autokton te shqiptarët.

“Problem real që kërcënon vlerat kombëtare dhe fetare të shqiptarëve aktualisht është vehabizmi. Lënia e hapësirave te veprimit të kësaj rryme në fenë islame në hapësirat shqiptare, indirekt do të thotë të ndihmosh propagandën antishqiptare të qarqeve më të errëta sllavo ortodokse. Përkundrazi, ngushtimi i hapësirave të veprimit të vahabizmit, do të ishte një kontribut i vyer jo vetëm për myslimanizmin tradicional shqiptar, por dhe për integrimin euroatlantik të shqiptarëve e për sigurinë tonë kombëtare”, theksoi Shala.

Ndërsa sipas Nijazi Muhamedit,mënjanimi i rrymave fetare fundamentaliste, duhet të fillojë nga gjeneza e tyre që mund të jetë e shkaktuar nga jashtë apo në shtetet multietnike edhe brenda vetë shtetit.

“Lexova një publicist boshnjak që thotë se punë e lehtë është me vehabizmin, ato janë çerdhe të shërbimit të inteligjencës të Serbisë dhe si vepron shërbimi i inteligjencës të Serbisë patjetër të vepron edhe këto kështu që metoda si veprojnë dhe si duhet të zhduken dihen”, theksoi publicisti Nijazi Muhamedi.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu deklaroi se shqiptarët janë popull që i ekspozohet rrezikut të rrymave ekstremiste.

Edhe pse shumica e komunitetit është pragmatiste dhe nuk akcepton rrymat ekstreme qofte ne politikë, qofte në fe, qofte në kulturë apo cfarëdo aspekti të jetës, një pakicë ekstremiste e organizuar mire e me fanatizëm mund të imponohet fare lehtë nëse shfaqet ndonjë rrethanë e jashtme”, theksoi Nexhmedin Spahiu.

Në fjalimin e tij, Spahiu gjithashtu është ndaluar në ekstremet që dalin nga fetë, sidomos në fenë islame tek shqiptare siç është shqetësimi i rritur në Maqedoni nga rrymat kërcënuese ekstreme.

Naser Pajaziti, një nga drejtuesit e agjencisë së lajmeve INA theksoi se kjo konferencë është një fillim shumë i mirë që inicion debat dhe një lëvizje gjithëpërfshirëse për ruajtjen e tradites sonë kombëtare dhe fetare.

Në debat morën pjesë edhe krerët e partive shqiptare, kryetarë komunash, përfaqësues të OJQ-ve, diplomatë dhe personalitete publike, ku organizatorë të konferencës ishin agjencia e lajmeve INA dhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup.

n.e/NOA

KOMENTE