Tiranë, 6 Shtator, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi përshëndeti dhe u uroi sot suksese nxënësve dhe mësuesve në mbarë Shqipërinë dhe në të gjitha shkollat ku mësojnë shqiptarët me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor 2010-2011.
Ai e bëri këtë urim nga shkolla 9-vjeçare në Tufinë të Dajtit, ku u mikprit nga kryetari i kësaj Komune, Kujtim Qefalia, drejtori i Shkollës dhe një nga mësuesit më të vjetër, Skënder Jata, nga mësues, nxënës, të cilët të veshur me kostume popullore i dhuruan një buqetë me lule dhe prindërit e tyre.
“Jap një mesazh përshëndetje për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që ata mësojnë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe diasporë me rastin e vitit të ri shkollor. Vit, i cili është mjaft i rëndësishëm pikërisht në momentet më historike të kombit shqiptar, ajo që ka të bëjë me Shqipërinë, ajo që ka të bëjë me fatin e Kosovës, ajo që ka të bëjë me fatin e të gjithë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë”, tha Topi në fjalën e tij.
Më tej, ai shtoi se uron në radhë të parë fëmijët, të cilët sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës dhe në Shqipëri, të cilët janë më shumë se 41 mijë nxënës, një numër i konsiderueshëm ky.
“I përshëndeta në mënyrë të veçantë nxënësit që ulen në bangat e klasës së parë, sepse për çdo njeri, pavarësisht nga mosha e tij asnjëherë nuk shlyen emocionet dhe kujtime kur ai është ulur për herë të parë në bankat e shkollës. Janë emocione të pashlyeshme, por janë emocionet të cilat patjetër na imponojnë ne të rriturve, prindërit në radhë të parë, mësuesit, institucionet që të kemi një kujdes të veçantë e të vazhdueshëm, sepse aty ku fillon mbarë i gjithë cikli shkollor shkon mbarë dhe në këtë mënyrë ne bëhemi garant që këta nxënës që sot fillojnë mësimet për herë të parë, nesër të jenë qytetarë të denjë të Shqipërisë, qytetarë të denjë të Evropës, pasi sikurse e thashë ky vit është shumë i rëndësishëm për shqiptarët. Ne jemi në prag të ndryshimeve të mëdha politike në funksion të familjes evropiane, pra ne po integrohemi në familjen evropiane dhe kjo dikton që të gjithë nxënësit, në të gjithë ciklin shkollor të përgatiten me shumë seriozitet, sepse vendet e punës nesër do të jenë jo vetëm në Shqipëri, por do të jenë në mbarë Evropën”, përfundoi fjalën e tij Topi.
n.e/NOA