English

Berisha nga Kavaja: Në vjeshtë shqiptarët do të lëvizin të lirë në Evropë

Kavajë, 7 shtator, NOA – “Këtë vjeshtë, qytetarët e Kavajës e të mbarë Shqipërisë do të lëvizin të lirë, pa viza në mbarë hapësirën evropiane”.

Këtë deklataratë e bëri sot kryeministri Sali Berisha nga qyteti bregdetar i Kavajës, ku mori pjesë në inaugurimin e spitalit të ri të qytetit.Sipas kryeministrit Berisha, vendimi për heqjen e vizave me Shqipërinë, që do të merret pas pak ditësh nga Parlamenti Evropian, u bë i mundur për shkak se qeveria çliroi Shqipërinë nga bandat, të cilat sundonin Tiranën, Durrësin dhe shumë qytete e rrethe të Shqipërisë.

Një tjetër dëshmi për këtë vendim të madh ishte padyshim edhe implementimi me sukses i pasaportave biometrike, me të cilat u pajisën shqiptarët në një hark kohor të shkurtër, ndërkohë që u dixhitalizuan 14 mijë regjistra të gjendjes civile dhe u krijua sistemi më modern i identifikimit të qytetarëve.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të spitalit të ri të Kavajës, në një godinë krejtësisht sipas standardeve evropiane dhe i pajisur me teknologjinë moderne që kap shifrën e investuar të mbi 1 miliard lekëve, shefi i qeverisë, deklaroi se “Kjo vepër e vepra të tjera janë dëshmi e një gjallërie dhe dinamizmi të paparë të ekonomisë shqiptare. Ekonomi, e cila bën të mundur financimin, asfaltimin, ndërtimin gjatë mandatit të dytë të 7 mijë kilometrave rrugë në mbarë vendit, rindërtimin e mbi 1 mijë shkollave dhe të qindra qendrave shëndetësore e spitaleve”.

Sipas kryeministrit rrugë të tjera të reja, të shkurtra, që do të nisin nga ndërtimi vitin e ardhshëm do ta shndërrojnë Kavajën në djep të metropolit të Tiranës.

“Kavaja është rrethi me zero vdekshmëri amtare dhe kjo është një nder i madh për sistemin shëndetësor të qytetit”, nënvizoi kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE