English

Ekstradohet Myfid Ymeri, kërkohej prej 7 vitesh për aksidentimin me dashje të Selim Memës

Tiranë, 7 shtator, NOA – Zyra kombëtare e Interpol Tiranës ka ekstraduar sot nga Roma 56 vjeçarin nga Shkodra Myfid Ymeri, i cili aksidentoi me dashje me makinën e tij për motive hakmarrjeje, Selim Memën, i cili vdiq nga plagët e marra, në një ngjarje të ndodhur në lagjen “Ndoc Mazi” në qytetin e Shkodrës, më 07 janar të vitit 2003.

Burime nga ky institucion konfirmuan se ekstradimi i Myfid Ymerit u bë rreth orës 11.45.

Gjykata e Rrethit të Shkodrës e kishte dënuar në mungesë të ekstraduari Ymeri për veprën penale të Plagosjes së rëndë me dashje që ka sjellë edhe vdekjen e viktimës.

Ekstradimi i Myfid Ymerit erdhi pas bashkëpunimit të skuadrës së Interpol Tiranës me atë të Romës, gjatë të cilit, u bë e mundur kapja në 14 korrik të këtij viti, pas plot 7 vjetësh arrati, dhe ekstradimi përdrejt Tiranës i Myfid Ymerit.

56 vjeçari pasi mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas i shoqëruar nga homologët italianë është dorëzuar pranë përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

mit/NOA

KOMENTE