Hagë, 7 shtator, NOA – Zyra e shtypit në Prokurorisë së Përgjithshme ka bërë me dije se Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama po merr pjesë në takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve që po organizohet në Hagë, mbi temën e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar dhe gjetjen e formave që lehtësojnë bashkëpunimin dhe hetimet e përbashkëta.
Sipas autoriteteve të prokurorisë bashkëpunimi ndërkombëtar për hetimin e përbashkët të krimit të organizuar shihet si nevojë globale dhe jo vetëm rajonale.
Sipas njoftimit të prokurorisë, temë e rëndësishme e këtij takimi mësohet të jetë edhe bashkëpunimi i institucioneve të drejtësisë sa i përket sekuestrimit të aseteve kriminale.
Në ditët në vijim nga Prokurorët e Përgjithshëm do të diskutohen çështje të tilla të lidhura me krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore, ndihmën e ndërsjellë në fushën penale si dhe arrestimin e personave që i fshihen drejtësisë.
Takimin e ka përshëndetur Ministri i Drejtësisë i Holandës, Ernest Hirsch Ballin, Prokurori i Përgjithshëm holandez Harm Brouwer, Kryetari i Shoqatës Ndërkombëtarë të Prokurorëve, François Falleti.
mit/NOA