English

Kryeministri Berisha shtron iftar me rastin e Muajit të Ramazanit

Tiranë, 7 shtator, NOA – Kryeministri Berisha shtroi dje në mbrëmje, në një rezidencë qeveritare, një iftar për besimtarët mysliman me rastin e Muajit të Shenjtë të Ramazanit. Të ftuar ishin drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, myfti, imamë, presidenti i Konferencës Ipeshkvore Rrok Mirdita; përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Nikolla Hyka, peshkop i Apolonisë; përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava; kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi etj.

Duke i uruar mirëseardhjen të ftuarve, kryeministri Berisha u shpreh se “qeveria do të bëj gjithçka për të mbështetur përpjekjet e mëdha dhe sakrificat e besimtarëve”.

“Dua të theksoj se kombi ynë është i vjetër, me histori mijëravjeçare, por asgjë nuk e nderon më shumë këtë komb, nuk e përfaqëson më mirë këtë komb sesa kjo prani së bashku siç jemi sonte vëllazërisht dhe siç qëndrojmë në të gjitha gëzimet, vështirësitë, hidhërimet dhe sakrificat. Ky është dhe visari më i çmuar shpirtëror i kombit shqiptar”, theksoi ai.

“Ndaj, dhe një herë, me mirënjohje ju falënderoj ju për kontributin e madh. Le t’i lutemi së bashku Zotit t’ua pranojë agjërimin të gjithë atyre burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, që në emër të vlerave të mëdha hyjnore vendosën të agjërojnë Muajin e Shenjtë të Ramazanit”, përfundoi deklaratën e tij gjatë iftarit, kryeministri Berisha.

n.e/NOA

KOMENTE