Shkodër, 7 shtator, NOA – Goditja e një makine sa nuk i ka kushtuar jetën drejtuesit të një motori dhe pasagjerit që ai mbante pas tij, por për fat të mirë kanë mundur t’i shpëtojnë rrezikut fatal.
Fjala është për një aksident të ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në fshatin Rragam të komunës Guri në Shkodër, që siç bëhet me dijeni nga forcat policore të Shkodrës për agjencinë e Lajmeve NOA, u shkaktua nga Frrok Markja, 33 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Dobrac të Shkodrës.
Ai është arrestuar menjëherë pasi rezultoi të kishte goditur ndër udhëtonte me mjetin e tij tip Volsvagen me targa CS-701-XR, 46-vjeçarin Lazër H. dhe 54-vjeçarin Jak H., që të dy banues në fshatin Hajmel të Shkodrës.
Mësohet se të dy këta persona ishin duke udhëtuar me motorin e tipit Lancin SH 180 B, ndërsa aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili kreu të gjitha veprimet e duhura proceduriale e hetimore, ndërsa materialet në ngarkim të Frrok Markajt, iu kaluan prokurorisë së Shkodrës për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
n.e/NOA