Shkup, 7 shtator, NOA - Republika e Maqedonisë nesër shënon 19-vjetorin e referendumit të suksesshëm, në të cilin qytetarët e saj u prononcuan për shtet të pavarur dhe demokratik.
Shumica e qytetarëve që dolën në referendum më 8 shtator të vitit 1991 pozitivisht iu përgjigjën pyetjes së referendumit: A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në fuqi në aleancën e ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë? Referendumit i parapriu Deklarata për pavarësi të cilën parlamenti i parë i Maqedonisë shumëpartiak e miratoi më 25 janar të vitit 1991.
Formalisht, vullneti i popullit për shtet të pavarur ishte konstatuar me Deklaratën për pranimin e rezultateve të referendumit më 18 shtator të vitit 1991 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Hap i ardhshëm me rëndësi në përforcimin e shtetit ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991. 19 vite pasi vendi kaloi nga një regjim komunistë në atë modern, duke synuar një demokraci funksionale, akoma ballafaqohet me probleme te brendshme dhe të jashtme.
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe udhëheqës vendorë vazhdimisht apelojnë që vendi t’i zgjidhë problemet të cilat i hapin rrugën për hyrje në NATO dhe Bashkim Evropian.
Sipas tyre, mungesa e dialogut, të drejtat e komunitetit etnik shqiptarë si dhe komuniteteve tjera, çështja e emrit, etj, janë probleme të cilat nëse nuk zgjidhen për një periudhë të shkurtër kohore, rrezikojnë integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Maqedonia duhet të punoj shumë në muajt e ardhshëm për t’i përmbushur kushtet e parashtruara nga Komisioni Evropian, disa herë ka ripërsëritur komisioneri për zgjerim, Stefan Fule. Ai apelon që Maqedonia të punojë më shumë në krijimin e një stabiliteti politik në vend.
Në këtë drejtim edhe analistë vendor dhe ndërkombëtar deklarojnë se në situatë të bllokadës më afatgjate të proceseve integruese dhe izolimit të vendit , do të bisedohet për politika për ekzistencë dhe mbijetesë, por jo edhe për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik dhe demokratik.
Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë vlerëson se vendi i ka plotësuar të gjitha kushtet për hyrje në NATO dhe marrjen e datës për fillimin e negociatave me BE-në, dhe se çështja e emrit nuk paraqet kriteret për integrimin e vendit në organizatat e lartpërmendura.
Vendi akoma përballet me një papunësi të madhe dhe standard të ulët jetësorë, ndërsa qytetarët shpëtimin e shohin vetëm nga integrimi në NATO dhe BE.
Shqiptarët në Maqedoni bojkotuan referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991 për shpalljen e pavarësisë së Maqedonisë. Pyetja që u shtrua për popujt e Maqedonisë në këtë referendum ishte: “A jeni për Maqedoninë si shtet sovran me të drejtë që të hyhet në Lidhjen e shteteve sovrane të Jugosllavisë”.
Sipas të dhënave zyrtare në referendumin e vitit 1991 dolën 71.85 për qind e popullatës në Maqedoni, mirëpo ai u bojkotua nga shqiptarët.
Pas përfundimit të referendumit maqedonas të 8 shtatorit dhe aprovimit të Kushtetutës së vitit 1991, shqiptarët organizuan referendum të veçantë për shprehjen e vullnetit përmes deklarimit gjithë-popullor si dhe një kundërpërgjigje ndaj të gjitha vendimeve të njëanshme të faktorit politik maqedonas.
Referendumi popullor i shqiptarëve në Maqedoni u organizua më 11 dhe 12 janar të vitit 1992. Vendimin për shpalljen e referendumit për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni e solli Kuvendi i Autonomisë më 27 dhjetor të vitit 1991, që drejtohej nga ish-kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik(PPD), Nevzat Halili. Qytetarët shqiptarë duhej të deklarohen se: “A janë për Autonomi politike territoriale të shqiptarëve në Maqedoni”.
NOA-INA