Shkup, 7 shtator, NOA – Në Maqedoni do të rishikohen të gjitha tekstet e librave shkollorë që përmbajnë elementë të urrejtjes dhe ndasive etnike.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije zv/kryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi pas paralajmërimeve të një dite më parë për bojkotin e librit të muzikës nga arsimtarët e Gostivarit.
Këta të fundit kanë vendosur të bojkotojnë librin dhe kanë dërguar ankesë tek Ministria e Arsimit, pasi nuk ka asnjë autor shqiptar dhe nuk përfshin asnjë të vetme këngë me elementë të folklorit, apo diçka shqiptare.
Sipas tij, do të merret në rishqyrtim edhe libri skandaloz i muzikës për klasat e 7-ta.
“Ka filluar rishqyrtimi i të gjitha librave duke përfshirë këtu edhe librin e gjeografisë. Por ne nuk mund të themi këtu për çdo libër veç e veç por themi që gjitha tekstet shkollore në të cilat konstatohet se prodhohet mos tolerancë prodhohet urrejtje ndaj bashkësive të ndryshme etnike në Maqedoni themi se të gjitha do të rishqyrtohen”, deklaroi Ademi.
n.e/NOA