Nju Jork, 7 shtator, NOA –Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta nisi një tur takimesh në Nju Jork në mbështetje të çështjes së Kosovës, duke i paraprirë kështu seancës së datës 9 shtator në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ku vendet anëtare priten të diskutojnë në lidhje me opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të projekt-rezolutës serbe mbi këtë çështje.
Në këtë kuadër, Meta do të qëndrojë në Nju Jork ku do të takohet me faktorë të ndryshëm për të shprehur mbështetjen e Shqipërisë për opinionin e GJND-së dhe qëndrimin e vendit kundër projekt-rezolutës së Serbisë.
Siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, Meta u takua me ambasadorë të vendeve të ndryshme në OKB me të cilët diskutoi mbi realitetin e ri që është krijuar në Ballkan pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Gjatë këtyre takimeve, Meta shprehu qëndrimin e Shqipërisë se projekt-rezoluta e Serbisë është konfliktuale, duke patur parasysh se ajo është në kundërshtim me opinionin këshillimor të GJND-së, i kërkuar prej vetë këtij vendi.
Duke folur nga Nju Jorku, Meta nënvizoi se “Serbia duhet të respektojë Opinionin e GJND-së dhe të dëgjojë më tepër sinjalet e qarta që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe SHBA. Projekt-rezoluta nuk i shërben aspak klimës konstruktive që ne kemi krijuar në Ballkanin Perëndimor dhe as vetë perspektivës evropiane të Serbisë”.
n.e/NOA