Tiranë, 7 shtator, NOA - Shqipëria është sot një ndër vendet që po zhvillohet me shpejtësi të madhe dhe ka kapërcyer grupin e vendeve me të ardhura mesatare.
Një fakt të tillë e ka bërë me dije para kryeministrit Berisha zv/sekretarja e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Asha- Rose Migiro, sipas së cilës ky është një hov i jashtëzakonshëm dhe vendet e tjera mund të nxjerrin mësime e të marrin shembull nga Shqipëria.
Duke u ndalur në zhvillimet në vend, gjatë viteve te fundit, Migiro vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme dhe hovin e madh të progresit, që qeveria shqiptare dhe vendi ka shënuar gjatë këtyre viteve, si në fushën politike e institucionale ashtu edhe përsa i përket zhvillimit ekonomik dhe social.
Më tej, ajo vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis qeverisë shqiptare dhe agjencive të OKB veçanërisht UNDP, përkushtimin, lidershipin dhe përgjegjësinë e qeverise shqiptare, në implementimin e projekteve te bashkëpunimit, si dhe i rikonfirmoi kryeministrit Berisha vazhdimin e mbështetjes së OKB dhe agjencive te saj, për te vijuar me programe mbështetëse bashkëpunimi në shume fusha.
Në këtë kontekst, Migiro vlerësoi rezultatet e larta te arritura, në kuadër te programit “Një OKB” përsa i përket realizimit të objektivave të zhvillimit të Mijëvjeçarit, në kuadër të programit Brain Gain, në bashkëpunimin në fushat e arsimit, shëndetësisë, luftës kundër korrupsionit, fushën e teknologjisë se informacionit dhe sigurisë së dokumentacionit, si edhe në fushën e barazisë gjinore, luftës kundër diskriminimit e përfshirjes sociale.
Nga ana e tij, kryeministri Berisha i shprehu Migiros mirënjohjen për kontributin që OKB ka dhënë në shumë fusha.
Në veçanti, kryeministri Berisha vlerësoi përqasjen e re që solli implementimi i programit "Një OKB", e cila ka bërë të mundur një efiçencë të lartë, në përdorimin dhe implementimin e fondeve dhe në rezultatet e synuara.
n.e/NOA