Pakistan, 7 shtator NOA - Të paktën 14 persona, mes të cilëve 9 policë kanë mbetur të vdekur dhe 34 të tjerë janë plagosur nga një sulm kamikaz në afërsi të një rajoni policie në një qytet të Pakistanit në Lakki Marwat. Atentati u krye pikërisht para stacionit policor me anë të një autobombe, e cila shpërtheu pikërisht në hyrje të rajonit.
Sipas autoriteteve pakistaneze, bëhet fjalë për një sulm të talebanëve, aleatë të Al Kaedës. Gul Wali Khan, shefi i policisë lokale ka sqaruar duke thënë se një atentator vetëvrasës, nën drejtim të një autoveture të mbushur me eksplozivë, është përplasur me ndërtesën, e cila është komisariati i policisë së Laki Marwat. Stacioni policor është shkatërruar plotësisht, ndërsa disa ndërtesa qeveritare janë dëmtuar. Për momentin nuk është përcaktuar ende se kush kanë qenë atentatorët, por duke u bazuar në deklaratat e autoriteteve flitet se sulmi i detyrohet vendimit të SHBA-së kundrejt talebanëve, duke i futur ata pjesë të listës së organizatave terroriste të huaja. r.b/NOA