Tiranë, 7 shtator, NOA - Rritja e informacionit dhe ndryshimi i qëndrimeve të administratës së burgjeve, për të krijuar një mjedis mbështetës për parandalimin e Hiv/Aids në sistemin e burgjeve, si dhe shpërndarja e informacionit te popullata e burgosur përbën objektivin e projektit që ka nisur të implementohet së fundmi në sistemin e burgjeve.
Përfituesit e tij janë 64 persona të stafit të shëndetësisë dhe atij policor, si dhe 70 % e personave me liri të kufizuar në institutet e edukimit në Vlorë, Vaqarr, Ali Demi, Peqin, Durrës, Spitali i Burgut, Lezhë, Mine Peza, Rrogozhinë dhe Instituti i të Miturve në Kavajë.
Ky projekt mësohet se po aplikohet nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me shoqatën “Stop Aids”, financuar nga Global Fund për Hiv/Aids, si dhe Programi Kombëtar i Institutit të Shëndetit Publik.
Së bashku, këto institucione kanë përfunduar me sukses fazën e parë dhe të dytë të projektit“Për parandalimin e Hiv/Aids” në sistemin e Burgjeve. Ky bashkëpunim ka filluar prej gushtit të vitit 2006, e po zbatohet edhe në ditët e sotme.
Bëhet me dijeni se gjatë zbatimit të projektit janë kryer seminare trajnuese me stafin mediko-social; identifikim i grupeve në rrezik; testimi për Hiv dhe njohjen e situatës epidemiologjike për IST, seanca informimi-sensibilizimi etj.
n.e/NOA