English

Pasqyra e Shtypit, 7 shtator 2010

Tiranë, 7 shtator, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Martë, 7 shtator 2010. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.

Gazetat shqiptare kanë si argument kryesor të ditës së sotme dëshminë e dhënë dje në prokurori nga Rrahman Selmanllari dhe Tan Lepri për pallatet tek Liqeni Artificial. Ato paraqesin edhe reagimet e dy palëve të politikës për gjetjen e zgjidhjes mbi çështjen e transparencës së zgjedhjeve, përmes deklaratave dje në seancë plenare nga Ruçi dhe Berisha. Ndërkaq, një argument tjetër i të përditshmeve sot është edhe ai i ditës së parë të shkollës, ku secila gazetë ka gjetur elementë të veçantë për pasqyrimin e saj.

E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Ruçi: Oferta e fundit/ Berisha: Pranoj!”, i cili citon faktin sesi përfaqësuesit e PS-PD dje në parlament shkëmbyen batuta për gjetjen e zgjidhjes mbi transparencën e zgjedhjeve.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “Topi dekreton anëtarët e Kushtetueses/ Cakton edhe datën e zgjedhjeve vendore”.

“Fillimi i shkollës, fëmijët marrin ndihma dhe premtime”, është një artikull që citon elementë nga dita e parë e shkollës.

“Selmanllari: Vokshi gënjen për lejen e ndërtimit” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Panorama” publikon si artikullin e saj kryesor ditën e sotme atë me titullin “Rregullorja e re/ PS, deputetët me 3 mungesa përjashtohen”, i cili tregon detaje nga rregullorja e re që ka nxjerrë selia rozë për deputetët e saj.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Dëshmon Selmanllari: Zgjodhëm Tan Leprin se ishte mik i Edi Ramës, i dhamë 10%”.

Ndërkaq, lidhur me emërimet në Kushtetuese , në këtë të përditshme do të gjeni artikullin me titullin “Topi zgjedh anëtarët e Kushtetueses, njëri i rrëzuar në 2006 nga PD”.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Djali i dy mjekëve/ Studenti i infermierisë hidhet nga kati IV në Tiranë”.

“Gazeta Shqiptare” ka si titull kryesor të saj “Vendimi: Berisha u merr godinat partive të vogla”, i cili tregon projektin për marrjen e godinave të social-demokratëve, legalistëve etj, pasi nuk kanë përfaqësues në parlament.

“Rafi dhe Tan Lepri dje në prokurori: S’ka ryshfet për pallatet e Liqenit”, është një artikull tjetër i kësaj të përditshmeje i cili i referohet dëshmive të dhëna dje në prokurori.

Ndërsa në një artikull të veçantë në këtë të përditshme do të lexoni atë me titull “Skandal në Berat/ Shtëpia muze e vitit 1700, kthehet në haur për kafshët”.

“Buxheti 2009, mungojnë 70 milionë lekë më pak se plani” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

Gazeta “Shqip” hapet me titullin kryesor “Selmanllari dhe Avllaj hapin letrat”, i cili tregon dëshminë e dhënë dje në prokurori nga Rrahman Selmanllari dhe Tan Lepri për pallatet tek Liqeni Artificial.

Një artikull tjetër i kësaj gazete është ai me titullin “ILDKP, hetim sekret për dosjet e ministrave”.

Ndërsa çështja e akuzave të selisë rozë ndaj mazhorancës për korrupsion mbërrin në numrin e sotëm të kësaj gazete përmes artikullit “PS akuzon ministrin Ruli për ish-Ekspozitën”.

“Komisioni i Jashtëm i PE-së miraton vendimin për heqjen e vizave” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.

E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin kryesor i cili i referohet vendimit të miratuar dje në Parlamentin Evropian për heqjen e vizave me Shqipërinë.

Artikull tjetër i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Ballkanika 2010, edicioni 12 mbërrin në Shqipëri ”.

Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Presidenti/ Dekretohen 4 anëtarët e Kushtetueses”.

Ndërsa në rubrikën “politika” do të lexoni “Zgjedhjet vendore, presidenti zgjedh 8 majin”.

n.e/NOA

KOMENTE