English

PDR: Të flitet shqip në parlamentin maqedonas!

Shkup, 7 shtator, NOA - Rendi i ditës i seancave plenare të parlamentit maqedonas, duhet të përpilohet jo vetëm nga kryetari i parlamentit siç ishte deri tani, por në koordinim dhe me pëlqim edhe të nënkryetarëve të parlamentit dhe të koordinatorëve të grupeve parlamentare të partive politike.

Kështu ka reaguar forca politike, Demokracia e Re në Maqedoni, duke komentuar propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores së parlamentit.

“Sikur herën e kaluar kur shumica parlamentare solli rregulloren pa prezencën e opozitës dhe pa pranuar asnjë vërejtje të saj dhe kjo pastaj rezultoi në kritika të ashpra edhe nga institucionet evropiane, edhe kësaj radhe shumica parlamentare ka vendosur që të sjell një rregullore, e cila i konvenon vetëm asaj dhe pamundëson debat thelbësor në organin ligjvënës, parlamentin”, tha përfaqësuesja e PDR, Flora Kadriu.

Ajo i kujtoi opinionit publik se ishte pikërisht PDR e cila kërkoi që konform amendamentit V të Kushtetutës, gjuha shqipe të marrë karakter zyrtar në parlamentin maqedonas.

“Kjo të realizohet përmes mundësisë që nënkryetari i parlamentit, shqiptar, të udhëheqë seancën parlamentare në gjuhën shqipe. Ndërkaq, i tërë dokumentacioni në parlament të përkthehet edhe në gjuhën shqipe, siç janë edhe procesverbalet, stenogramet etj. Si edhe të gjitha mbishkrimet në parlament, të vendosen edhe në gjuhën shqipe”, shtoi Kadriu.

PDR po ashtu, propozoi themelimin e një organi parlamentar i cili do të shqyrtojë raportet e revizionit me qëllim shtimin e kontrollit të parlamentit mbi qeverinë dhe mënyrën se si ajo harxhon mjetet e buxhetit.

Në fund, PDR kërkoi që në kanalin televiziv të parlamentit, përveç përkthimit simultan të seancave parlamentare, në programin e kanalit të futen edhe emisione edukative dhe kulturore në gjuhën shqipe, ashtu siç emitohen tani në gjuhën maqedonase.

“Kërkesat e Demokracisë së Re për bazë kanë Kushtetutën dhe marrëveshjen kornizë të Ohrit, por edhe nevojën për rritjen e kontrollit të parlamentit mbi qeverinë si parim themelor në të gjitha vendet demokratike të botës”, përfundoi Kadria.

n.e/NOA

KOMENTE