Vlorë, 7 shtator, NOA – Një takim i posaçëm është zhvilluar në orët e paradites së sotme në qarkun e Vlorë, ku siç raportohet për agjencinë e Lajmeve NOA, prefekti Hasan Halili, ka mbledhur krerët e qarkut për të diskutuar me ta protestat e banorëve të Dukatit lidhur me çështjen e pronësisë.
Duke ndalur konkretisht në atë ç’ka po ndodh, prefekti dhe krerët e qarkut u kanë dhënë të drejtë banorëve, sa i përket kërkesës së tyre për të sqaruar çështjen e pronësisë, por sigurisht pa dashur që të kalohet në eksese.
Sipas tyre, gjithçka duhet koordinuar me autoritetet shtetërore, të cilat janë përgjegjëse për të tilla gjëra, në mënyrë që të mos ngjasin akte si ai mësymjes së dukatave në Karaburun dhe duke ndarë atje pronat e dikurshme në gadishullin e Vlorës.
Konkretisht, kanë qenë më shumë se 150 banorë të Dukatit, të cilët kanë hyrë nëpërmjet rrugës së vjetër në Karaburun me qëllim ndarjen e pronës së tyre.
Ata kanë vendosur piketat ndarëse sipas kufijve të vjetër duke përdorur tela, për të treguar publikisht se tokat janë në pronësi të tyre.
Banorët e Dukatit pretendojnë se gadishulli i Karaburunit u përket atyre dhe askujt tjetër, pavarësisht se shteti nuk po u jep tapitë e pronës. n.e/NOA