English

PS, Shalsi: Ruli hesht, nesër ne japim faktet e privatizimit korruptiv

Tiranë, 7 shtator, NOA – Partia Socialiste kujtoi sot edhe një herë pesë pyetjet që ka bërë për ministrin Genc Ruli. Deputeti Eduard Shalsi tha se këto pyetje lindin nga një proces dramatik privatizimi për të cilin ne disponojmë fakte tronditëse të kapjes së shtetit nga oborrtarët e pushtetit.

“Sigurisht për qëllime përfitimi personal e familjar dhe aspak shtetëror. Ne disponojmë fakte se ish-Ekspozita Shqipëria Sot është futur në proces privatizimi nga njerëz pranë kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit Genc Ruli”, - tha Shalsi.

Këta njerëz, - sipas Shalsit, - me funksione zyrtare ose jo, i kanë diktuar qeverisë shqiptare të gjithë praktikën e këtij privatizimi, duke e detyruar të prishë arbitrarisht kontratat me subjektet që kishin marrë ligjërisht me qera mjediset e ish-Ekspozitës Shqipëria Sot.

Përfshirë edhe me Top Channel, televizioni kombëtar që është vënë në presionin për të dalë jashtë pavarësisht se me kontratë të rregullt shumëvjeçare me shtetin. Dihet se prishja e njëanshme e kontratës ka penalitete financiare, - vijoi Shalsi.

Por, qeveria, vijoi Shalsi, - s'është ndalur as përpara këtij fakti dhe mesa duket ka marrë përsipër jo vetëm t'u bëjë dëm padrejtësisht subjekteve në fjalë, por edhe të paguajë me paratë e shqiptarëve penalitetet që mund të rrjedhin nga ky arbitraritet korruptiv. Heshtja e ministrit të radhës përballë transparencës sonë është dëshpëruese për nivelin ku ka rënë qeveria e votave të vjedhura që po vjedh përditë Shqipërinë.

Edhe më dëshpëruese, - theksoi Shalsi, - janë sulmet me baltën e shpifjeve që Sali Berisha urdhëron çdo ditë për të shmangur vëmendjen e shqiptarëve nga transparenca. Ne nuk i bëjmë pyetjet sepse nuk dimë përgjigjet, por sepse u japim kundërshtarëve të drejtën të mbrohen dhe publikut mundësinë të gjykojë duke i dëgjuar të dyja palët.

“Por mesa duket ky pushtet e ka të pamundur të ballafaqohet me fakte dhe s'ka c'bën tjetër veç lojës së fëlliqur dhjetëvjecare të përbaltjes së Bashkisë së Tiranës në emër të lejeve të ndërtimit. Megjithatë dhe sot do të presim përgjigjet për pyetjet tona dhe nesër ne do të fillojmë ekspozimin e fakteve që provojnë se privatizimi i ish-Ekspozitës Shqipëria Sot është një proces i korruptuar nga njerëz me funksione ose jo pranë Sali Berishës dhe Genc Rulit”, - përfundoi deputeti socialist.

mit/NOA

KOMENTE