English

PS: Skandal zyrtar me shifrat e ekonomisë, qeveria shifra të ndryshme në fletoren zyrtare

Tiranë, 7 shtator, NOA – Partia Socialiste denoncoi sot një tjetër skandal të qeverisë, duke iu referuar dy fletoreve zyrtare, ku në të njëjtën ditë, më 28 korrik, qeveria shqiptare ka dhënë dy shifra të ndryshme për rritjen ekonomike, për defiçitin.

Deputeti socialist, Ilir Beqja duke paraqitur para mediave dy fletoret zyrtare, tregoi se Sali Berisha inskenon inaugurime për të recituar gënjeshtrat e tij, që synojnë fshehjen e votave në kutitë e mbyllura të 28 qershorit, që dëshmojnë vjedhjet dhe shifrat e vërteta të gjendjes ekonomike në Shqipëri.

“Në datën 28 korrik 2010 personat që kanë zënë me të padrejtë karriget e kryeministrit dhe të ministrave kanë miratuar për të njëjtat parametra makroekonomikë, fiskalë dhe buxhetorë shifra të ndryshme, ku thuhet se rritja reale ekonomike për vitin 2008 është edhe 8 % edhe 7,7 %“, deklaroi për mediat në një konferencë deputeti Beqja.

Duke iu referuar deklaratave të qeverisë se rritja reale ekonomike për vitin 2009 është edhe 3,3 % edhe 3 %, zoti Beqja rikujtoi se kryeministri Berisha deklaroi tri ditë më parë nga fshati Darëzezë një tjetër shifër.

Deputeti Beqja gjithë duke iu referuar deklaratave të bëra nga qeveria tha se për vitin 2011 qeveria parashikon një produkt të brendshëm bruto ku diferenca midis dy shifrave të publikuara zyrtarisht është 330 milionë dollarë, gjë që sipas zotit Beqja tregon se qeveria fsheh të vërtetën.

“Në të njëjtën ditë qeveria shqiptare parashikon për vitin 2012 një produkt të brendshëm bruto ku diferenca midis dy shifrave të publikuara zyrtarisht është 480 milionë dollarë“, theksoi Beqja duke nënvizuar se qeveria gënjen edhe për defiçitin buxhetor ku diferenca midis dy shifrave të publikuara zyrtarisht është 62 milionë dollarë.

Deputeti socialist bëri me dije se qeveria jep shifra të ndryshme për deflatorët e GDP–së për vitet 2007 dhe 2008, duke provuar se dyshimet e opozitës për manipulimin e rritjes ekonomike, janë të përligjura.

Duke iu referuar këtyre parametrave të gënjeshtërt të qeverisë, Beqja tha se kryeministri duhet të largohet që Shqipëria të inaugurojë rrugëdaljen nga të gjitha krizat.

mit/NOA

KOMENTE