English

Rezoluta serbe, Eshton do të takohet me Tadiç në Bruksel

Bruksel, 7 shtator, NOA – Dy ditë para bisedimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku do të diskutohet për rezolutën e Serbisë për Kosovën, ku kërkohet rikthimi i bisedimeve për statusin, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç do të takohet sot në Bruksel me kryetaren e Komisionit të Jashtëm për Sigurinë në Bashkimin Evropian, Ketrin Eshton.

Lajtmotiv i takimit me zonjën Eshton do të jetë pikërisht çështja e Kosovës dhe rezoluta e Serbisë.

Ndërsa presidenti serb pritet në Bruksel, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç ka siguruar se Beogradi nuk do ta tërheqë rezolutën serbe të propozuar në OKB, duke thënë në një intervistë për televizionin B-92 se “Nuk planifikojmë tërheqjen e rezolutës sonë. Por, po zhvillohen bisedime dhe negociata intensive, me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata nga BE-ja”.

Mbrojtjen e interesave territoriale në Kosovë, e ka përsëritur edhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i cili ka theksuar se pavarësisht nga votimi i rezolutës serbe në OKB, Serbia duhet të punojë për integrimin e saj në Evropë, duke u kujdesur për interesat e saj territoriale në Kosovë.

Në një bashkëbisedim me homologun kroat, Tomisllav Karamarko, ministri serb, Daçiç, tha se “Serbia është e gatshme për kompromis, por nuk besoj se asnjë pushtet do ta pranonte kompromisin që nënkupton se me rezolutën verifikohet pavarësia e Kosovës”.

mit/NOA
KOMENTE