English

Vidhnin motoçikleta dhe i shisnin, kapen 4 bashkëpunëtorët grabitës

Lezhë, 7 shtator, NOA – Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, katër persona kanë kryer një sërë vjedhje motoçikletash, të cilat më pas i shisnin në qytete të ndryshme të vendit, por gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, ata kanë mundur të arrestohen në flagrancë.

Ngjarja bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga forcat policore të Kurbinit, sipas të cilave, të ndaluarit janë 24-vjeçari Albert Lleshi, me banim në fshatin Fushë- Milot të Kurbinit; 22-vjeçari Erjon Lleshi, edhe ky nga i njëjti fshat; 24-vjeçari Aleksandër Daçi, me banim në Rreshën dhe 23-vjeçari Bukurosh Basha, nga fshati Ulëz i Matit.

Ndërsa në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar 1 motoçikletë e markës Armode, pa targa me ngjyrë të zezë e gri si edhe 1 motoçikletë e markës Zipstar, me targa X 29 HHS, me ngjyrë të zezë, gri dhe të verdhë.

Nga ana e strukturave të policisë po punohet për dokumentimin e plotë të mekanizmit të ngjarjes si dhe materialet e procedimit do t’i kalojnë prokurorisë së Lezhës në ngarkim të të ndaluarve të lartpërmendur për veprat penale të “Vjedhjes së kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrimit të produkteve”, parashikuar nga nenet 134/2 dhe 278/b të Kodit Penal.

n.e/NOA

KOMENTE