English

2018, 2023 apo më vonë? Pranimi i Ballkanit në BE largohet dhe më shumë

Bruksel, 8 shtator, DW - Shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë marrë rrugën drejt pranimit në Bashkimin Evropian dhe ndodhen në faza të ndryshme të saj. Aktualisht, duket se kriza ekobomike globale e ka ngadalësuar këtë proces.

Politikanët e Ballkanit Perëndimor janë duke u bërë gjithnjë e më të vetëdijshëm se pranimi i vendeve të tyre në Bashkimin Evropian, nuk do të ndodhë aq shpejt sa do të dëshironin ata dhe ashtu siç ua kanë premtuar popujve të tyre. "Nuk ka ndonjë predispozitë të madhe për zgjerimin e BE-së," thotë kryeministri shqiptar Sali Berisha për shtypin e huaj. Këtë ai nuk ua ka thënë ende shqiptarëve. Por edhe jashtë vendit ai përpiqet ta relativizojë menjëherë pohimin e bërë duke shtuar: "sa i përket Ballkanit Perëndimor, ka ngurime, por ato nuk janë shumë të mëdha".

Vendet më të rezervuara sa i përket zgjerimit të mëtejshëm të BE-së janë Franca dhe Gjermania.

"Në Gjermani argumentohet kundër pranimt të Turqisë në BE, si një vend i madh mysliman, i cili do ta mbyste Gjermaninë me punëtorë. Por në Gjermani ekziston edhe një argument ekonomik. Gjermania paguan më shumë se vendet e tjera në BE, dhe me pranimin e një vendi të ri të varfër siç do të ishte një vend i Ballkanit Perëndimor, druhet se do të duhet të paguante edhe më shumë," thotë Natasha Wunsch, bashkëautore e një analize të Institutit gjerman të Studimeve për Politikën e Jashtme (DGAP) me temën: "Ballkani Perëndimor: Zgjerimi i BE- së në krizë." Për ekspertët e institutit, pranimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor është duke u shtyrë edhe më gjatë. Kriza ekonomike duket se i ka bërë që vendet e BE-së të lodhen nga zgjerimi.

Shkurtime ndihmash?

Bashkimi Evvropian ka planifikuar nga 2009 deri 2013 dhënien e 8,87 miliardë eurove për të përkrahur financiarisht proceset paraprake të pranimit të vendeve ballkanike. "Duke pasur parasysh krizën financiare është e rëndësishme që të mos shkurtohen ndihmat paraprake dhe programet e tjera ", thotë Gernort Erler, presidenti i Shoqatës për Evropën Juglindore. Efektet e rënies ekonomike globale në Ballkanin Perëndimor ndihen me rënien e eksporteve dhe nga mungesa e investimeve të huaja. Prodhimet nga vendet e Ballkanit Perëndimor kërkohen më pak dhe papunësia e lartë pritet të rritet edhe më shumë. Në Maqedoni kuota e papunësisë në vitin 2009 ishte 32.2 përqind, në Bosnjë Hercegovinë 42.7 përqind. Pas vitit 1999, Bashkimi Evropian i rishikoi politikat e tij ndaj Ballkanit, dhe përcaktoi një proces të ri pranimi për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky proces i komplikuar përbëhet nga gjashtë faza.

Vendet me faza të ndryshme

Bosnjë- Hercegovina dhe Serbia ndodhen në fazën e tretë, janë nënshkruar marrëveshjet e stabilizim-asociimit, MSA, që pritet të ratifikohen nga 27 vendet e BE-së, çka mund të zgjasë. Në fazën e katërt ndodhen Shqipëria dhe Mali i Zi, ku marrëveshjet e asociim stabilizimit, MSA, janë ratifikuar dhe janë në zbatim. Maqedonia ndodhet në fazën e pestë, pasi ka bërë kërkesën për pranim. Kroacia është në fazën e gjashtë, që prej tetorit të 2005-ës janë duke u zhvilluar bisedimet e pranimit. Bisedimet mund të përfundojnë që këtë vit. Kosova nuk ka filluar ende as fazën e parë.

Kjo do të thotë se për vendet e Ballkanit Perëndimor do të jetë shumë më e vështirë për të hyrë në BE se sa për vendet e Evropës Qendrore dhe për Bullgarinë dhe Rumaninë.

Kriteret nuk janë plotësuar

Megjithatë ekzistojnë kriteret dhe tani për tani ato nuk janë plotësuar nga asnjë vend. “Kjo perspektivë afatgjatë në krahasim me zgjerimin e parë në drejtim të lindjes të BE-së bën që në kohë reformat të mos jenë aq mbresëlënëse. Në moment ato nuk shihen në Ballkanin perëndimor. Ky është një problem që e ngadalëson të gjithë procesin. Prandaj edhe shihet se BE-ja është duke punuar me Ballkanin perëndimor edhe në fusha të tjera, si psh. me liberalizimin e vizave dhe me qarkullimin e lirë", thotë Erler.

Kështu Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina, shpresojnë për liberalizimin e vizave brenda këtij viti, gjë që është bërë me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi në fund të 2009-ës.

Po ashtu dimë se nuk ka vetëm kundërshtarë të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, ka edhe përkrahës. "Britania e Madhe përkrah në parim zgjerimin e BE-së. Ka edhe përkrahës të tjerë specifikë për Ballkanin Perëndimor si për shembull Sllovenia e Çekia janë në përgjithësi për pranimin e këtyre vendeve në BE. Ka vende të veçanta që mbështesin vende të caktuara të Ballkanit, si p.sh. Italia, që e përkrah pranimin e Serbisë në BE," thotë Natasha Wunsch. Duket se janë këta optimistë që lëshojnë zëra se nuk do të ishte keq nëse Ballkani Perëndimor pranohej në BE 100 vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, pra më 2018.

Sipas ekspertëve të DGAP, dhënia me objektiva të caktuara e mjeteve ekzistuese evropiane si dhe përpunimi i një strategjie në përshtatje me "Evropa 2020" mund të kontribuonte për konsolidimin e rajonit të Ballkanit perëndimor. Dhe deri sa të ndodhë kjo, nuk duhen përmendur data.

Deutsche Welle

KOMENTE