Tiranë, 8 shtator, NOA - Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me universitetin e Oxforditi organizoi sot tryezën e rrumbullakët me temë “Sfidat ekonomiko-politike të bashkëpunimit rajonal”, ku merrnin pjesë përfaqësues nga rrethet akademike në Shqipëri, përfaqësues nga sistemi bankar, nga institucione shtetërore organizma ndërkombëtare në Shqipëri, si dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë.
Aktiviteti i sotëm u zhvillua në vazhdim të takimit të Beratit “Rritja ekonomike në Shqipëri - nevoja për një model të ri”, organizuar në maj të këtij viti nga Banka e Shqipërisë.
Në këtë kuadër, çështjet më të trajtuara në takimin e sotëm ishin analizimi i modeleve të rritjes ekonomike dhe bashkëpunimi rajonal, përcaktimi i sfidave kryesore të rajonit si dhe ankorat e jashtme drejt integrimit për në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij të mbajtur me këtë rast, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani u shpreh se natyra e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë është e ngjashme me atë të politikës së ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane; ajo bazohet në dy shtylla: e para është analiza monetare dhe e dyta analiza ekonomike me fokus të veçantë ecurinë e çmimeve dhe pritjet inflacioniste.
Sipas guvernatorit Fullani, kolona e dytë ka një rëndësi të madhe për ecurinë e inflacionit, veçanërisht në afatin e gjatë.
“Duke pasur qëndrueshmërinë e çmimeve dhe stabilitetin financiar si prioritete kryesore, Banka e Shqipërisë është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për të inkurajuar dhe për të luajtur rol aktiv në konvergjencën e vendit me standardet evropiane”, u shpreh guvernatori Fullani.
Sipas tij, një nga hapat që duhet hedhur menjëherë në ketë drejtim, është studimi i avantazheve konkurruese të ekonomisë shqiptare nga një këndvështrim rajonal, duke mbajtur parasysh mangësitë e modelit të tanishëm të ngritur mbi rritjen dhe zgjerimin e kreditit dhe nivelet e larta të konsumit.
“Në maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë organizoi një tryezë të rrumbullakët shkencore, e cila u përqendrua në identifikimin e sektorëve të ekonomisë që mund të sigurojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme në të ardhmen. Takimi arriti në përfundimin se modeli i ardhshëm i rritjes ekonomike kërkon ndërtimin e një strategjie kombëtare të zhvillimit ekonomik të vendit. Modeli i ardhshëm duhet të mbështetet në rritjen e produktivitetit të faktorëve të prodhimit në të gjithë sektorët e ekonomisë”, u shpreh guvernatori i BSH-së.
n.e/NOA