Tiranë, 8 shtator, NOA – “100-vjetori i krijimit të shtetit shqiptar është ngjarja më e madhe e viteve që vijnë dhe ne do bëjmë çdo përpjekje që në këtë përvjetor të madh të shënohen ndryshimet më të mëdha në historinë e këtij vendi”.
Me këto fjalë e ka inicuar mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri Sali Berisha, i cili ka paralajmëruar se ky përvjetor i madh duhet ta gjejë vendin me parlament të ri dhe me një stadium kombëtar modern.
“100-vjetori duhet ta gjejë këtë shtet në tempullin e vet të demokracisë brenda parametrave, arkitekturës dhe funksionalitetit më modern të tij, ndaj edhe të nisë puna menjëherë për të marrë të gjitha vendimet dhe filluar sa më parë ndërtimin e parlamentit”, bëri me dije kreu i qeverisë.
Lidhur me këtë, ai shtoi se në Tiranë, ndërtimi i parlamentit do të ishte vendimi më i rëndësishëm që mund të merrej.
Duke shtuar se ky 100-vjetor i pavarësisë duhet të jetë i prekshëm në të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit, ai tha se një detyrim tjetër që parashtrohet është edhe ai i ndërtimit të një stadiumi të ri kombëtar.
Për këtë, ai i la detyrë ministrisë së Sporteve që të hartojë projektin për ndërtimin e njërit prej stadiumeve më moderne në vend ... (vijon)
n.e/NOA