Tiranë, 8 shtator, NOA – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka vlerësuar sot në takimin me oficerët e kontaktit të BE-së të akredituar në vendet e Ballkanit Perëndimor, progresin e policisë shqiptare, e cila është bërë pjesë e një procesi reformimi të gjithanshëm, duke synuar shndërrimin e saj në një organizatë policore të standardeve më të përparuara evropiane.
“Ky proces i gjerë reformash ka shënuar progres të lavdërueshëm në zhvillimin e përgjithshëm progresiv të organizatës sonë, për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, të armëve, drogës, kundër korrupsionit, pastrimit të parave etj., por, edhe në rritjen e standardeve profesionale, krijimin e një mjedisi më të sigurt për publikun, respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët etj”, theksoi në këtë takim kreu i policisë së shtetit.
Sipas zotit Burgaj, progres cilësor është bërë edhe në forcimin e masave të kontrollit për mbikëqyrjen e kufirit dhe kontrollin e migracionit sipas standardeve të BE-së, rritjen e cilësisë së arsimimit policor e trajnimit të personelit, në menaxhimin më të mirë të burimeve njerëzore, por dhe të burimeve materiale e financiare.
Burgaj evidentoi edhe rritjen e vazhdueshme dhe intensifikimin e bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me institucionet e BE-së, EUROPOL, FRONTEX, e institucione të tjera si dhe me organizatat policore të vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të rajonit.
“Kohët e fundit, është shtuar numri i palëve me të cilat bashkëpunojmë e njëkohësisht janë rritur numerikisht edhe përfaqësuesit policorë, që kemi atashuar pranë njëri tjetrit, duke vendosur me agjencitë homologe kontakte të drejtpërdrejta, të cilat rezultojnë tepër efikase”, tha drejtori i përgjithshëm, Burgaj.
Në këtë kontekst ai bëri me dije se “Ministria e Brendshme e Republikës së Shqipërisë e ka rritur rreth 40 % numrin e oficerëve të kontaktit në vendet e Bashkimit Evropian dhe rajonit, pavarësisht kostos në buxhetin tonë të kufizuar që shoqëron këtë vendim”.
Ky takim u organizua në Tiranë nga Ambasada e Mbretërisë së Belgjikës, e cila ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
mit/NOA