Tiranë, 8 shtator, NOA - Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka prezantuar sot dhe ka marrë miratimin për disa ndryshime të rëndësishme ligjore në ligjet, mbi të cilat ai vepron.
Gjatë mbledhjes së sotme në komisionin parlamentar të Ligjeve, kanë kaluar me shumicë votash ndryshimet në: Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për Inspektimin e Ndërtimit” të ndryshuar”, dhe në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8405, datë 17.9.1998 “Për urbanistikën të ndryshuar”. Ndryshimet kanë si qëllim kryesor frenimin e ndërtimeve pa leje si dhe shtimin e kompetencave të Inspektoriatit qendror dhe inspektorëve në bashki dhe komuna.
Kështu, janë miratuar ndryshimet ligjore që kanë shtuar penalizimet financiare për ndërtuesit dhe subjektet që i ndihmojnë ata në ndërtimin e objekteve pa lejet përkatëse.
Kështu, përshembull, kusht për shitjen e betonit do të jetë prezantimi i lejes së ndërtimit nga ana e subjektit që bën ndërtimin te kompania që shet beton.
Në këtë rast, penalizimi ligjor për kompaninë prodhuese të betonit parashikon gjobë deri në 10 milionë lekë të reja dhe bllokim të mjeteve të punës si betoniera apo makineri që hedhin beton. Kjo mënyrë pune do të pengojë ndërtimet e mëdha pa leje.
Penalizime financiare deri në 500 mijë lekë të reja ka dhe për ndërtimet e vogla, si mure rrethuese, gardhe apo objekte të tjera të kësaj madhësie.
Ndryshimet ligjore të propozuara nga INUK u miratuan pa asnjë ndryshim dhe me shumicë votash.
n.e/NOA