English

Katër kompanitë celulare i kërkojnë Qeverisë të anulojë vendimin për një licencë të vetme 3G

- Katër operatorët e telefonisë celulare në Shqipëri kërkojnë Qeverisë rishqyrtimin e vendimit për autorizimin e një licence te vetme 3G

- Pak ditë përpara publikimit të dokumenteve zyrtarë nga AKEP në lidhje me tenderin e liçencës 3G, operatorët e telefonisë celulare AMC, Eagle Mobile, Plus dhe Vodafone ranë dakord që të kërkojnë zyrtarisht rishikimin e vendimit të qeverisë për të dhënë vetëm një liçencë 3G. Rreziqet e një favorizimi të një ambienti monopolistik dhe çmimi i lartë hyrës në kuotën e 12.5 milionë eurove janë shqetësimet e kompanive celulare që operojnë në Shqipëri

LEXONI DHE REAGIMET E DREJTUESVE TE 4 KOMPANIVE CELULARE

Tiranë, 8 Shtator 2010, NOA - Katër operatorët e licencuar të telefonisë celulare në Shqipëri AMC, Eagle Mobile, Plus dhe Vodafone deklaruan sot se kanë mirëpritur vendimin e qeverisë për të shtyrë përpara dhënien e licencave 3G, ndonëse ata besojnë se kufizimi i dhënies së një licence të vetme përmes tenderit publik mund të rrezikojë procesin dhe të krijojë monopol ne tregun shqiptar.

Katër operatorët e telefonisë celulare shprehen se janë të bindur se lëshimi njëkohësisht i katër licencave 3G kundrejt një tarife të favorshme për të gjithë spektrin e vlefshëm 3G, u shërben objektivave të qeverisë dhe nevojave në rritje të konsumatorëve për internet të shpejtë me bandë të gjerë, me qëllim për të inkurajuar një treg konkurrues dhe për të nxitur më tej investimet në vend.

Dhënia e katër licencave 3G në të njëjtën kohë do të sjellë një shumëllojshmëri të produkteve dhe shërbimeve me çmime më konkurruese për qytetarët, vlerësojnë katër operatorët përmes një deklarate të përbashkët për media.

Për më tepër, - vijon deklarata, - futja e rrjetit 3G do të ishte më e shpejtë për mbulimin e të gjithë territorit të vendit.

Katër operatorët, AMC, Vodafone, Eagle dhe Plus, vlerësojnë se shteti do të përfitojë më shumë të ardhura për buxhetin nga tarifat e paguara nga të katër operatorët e licencuar dhe investimet e bëra për teknologjinë 3G nga këta operatorë, që do të kenë një efekt pozitiv në GDP dhe rritjen e nivelit të punësimit.

Katër operatorët e telefonisë celulare pohojnë se e shohin me keqardhje faktin e vënies së një tarife prej 12.5 milionë Euro, e cila bashkë me investimin shtesë që nevojitet për futjen e rrjetit, e bën jashtëzakonisht të paarsyeshëm për të justifikuar vendimet logjike për të investuar ne teknologjinë 3G sikundër dëshmon edhe eksperienca mbarë evropiane.

Shqipëria ka qenë nismëtare e zhvillimit të komunikimit celular në vitet 1990-të, por aktualisht renditet e fundit në Evropë për sa i takon përhapjes së teknologjisë 3G. Është mjaft e rëndësishme që qeveria të demonstrojë vullnetin e saj politik për të përshpejtuar përhapjen e teknologjisë 3G dhe për të hapur tregun me internet të shpejtë pa krijuar pengesa të panevojshme.

Për arsyet e mësipërme, operatorët e telefonisë celulare mbeten dyshues mbi këtë vendim të qeverisë. Si rrjedhojë, përpara publikimit zyrtar të dokumenteve të tenderit, katër kompanitë e telefonisë celulare i bëjnë thirrje autoriteteve shtetërore të diskutojnë më tej me të gjitha palët e përfshira dhe operatorët për arritjen e një zgjidhje të përshtatshme.

e.r/NOA

KOMENTE