English

Makina përplas motorin, i plagosuri i shpëton vdekjes

Durrës, 8 shtator, NOA – Duke drejtuar autoveturën me targa të huaja S 424 NSB, një person ka përplasur dikë tjetër i cili drejtonte një motoçikletë pa targa.

Ngjarja në fakt ka ndodhur në datën 30 gusht, në aksin rrugor Plepa-Kavajë, në rrugën dytësore në afërsi të Shkënbit të Kavajës por vetëm sot është bërë i mundur identifikimi i autorit të saj prej forcave të policisë së Durrësit.

Siç ato bëjnë me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, personi ndaj të cilit tashmë ka nisur procedim penal në gjendje të lirë mban inicialet A.K., 32 vjeç, banues në Sauk të Tiranës.

Mësohet se ai ka përplasur me makinën e tij bashkëmoshatarin me inicialet I.I., lindur në Tërnovë të Dibrës dhe banues në qytetin e Durrësit.

I dëmtuari pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore, ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa materialet hetimore iu kaluan prokurorisë së Durrësit për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

n.e/NOA

KOMENTE