Uashington, 8 shtator, NOA - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka shtruar nje darkë iftari për besimtarët dhe agjëruesit myslimanë në Departametin Amerikan të Shtetit.
Ashtu siç kanë bërë në tërësi përfaqësuesit e lartë të shteteve në mbarë botën, gjatë muajit të Ramazanit, për të nderuar dhe respektuar komunitetet myslimane të pranishme në vendet e tyre, duket se edhe administrata amerikane e ka menduar që ta realizojë një akt të tillë.
Bëhet me dijeni se gjatë fjalës së saj përshëndetëse, diplomatja amerikane tha se harmonia mes komuniteteve fetare përbën një domosdoshmëri.
“Jemi ulur së bashku ditën kur vjen lajmi se një prift në Florida do vazhdojë me planet për djegien e Kuranit të shenjtë më 11 shtator. Jam e emocionuar nga dënimi i qartë e i padiskutuar që i kanë bërë këtij veprimi të padenjë udhëheqësit e të gjitha feve në Amerikë, nga të krishterët evangjelistë tek rabinët hebrejë, krerët sekularë dhe opinionbërësit”, tha Klinton, duke përmendur rastin e përfolur ditët e fundit në SHBA lidhur me djegien e librit të shentjë të Kuranit nga një grupim i krishterë.
Në këtë mënyrë, ajo ka lënë të kuptohet se paqja mes feve është mjaft e rëndësishme.
n.e/NOA