Decentralizimi për serbët në Kosovë i mirëmban negociatat e Kosovës me Serbinë përmes së cilave thellohet decentralizimi. Negociatat dhe decentralizimi ndodhen brenda të njëjtit kuadër ku riprodhohen ndërsjelltazi. Prandaj që të dyja këto e mbijetuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Nga Albin Kurti*
Më 29 prill të vitit 2004, Kuvendi i Republikës së Serbisë e kishte pranuar planin e Qeverisë së Serbisë për zgjidhjen politike të situatës në Kosovë. Ky plan parashihte regjionalizimin e Kosovës dhe organizimin e autonomisë territoriale për serbët. Policia, mbrojtja civile, gjyqësia, arsimi, shëndetësia dhe politika sociale, kultura dhe mediat, privatizimi dhe marrëdhëniet juridike pronësore për patundshmëritë, regjistrat publikë dhe rregullimi i procesit zgjedhor, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe shkrimit, programet zhvillimore dhe buxheti, vetëqeverisja lokale dhe udhëheqja me pronën publike, që të gjitha këto serbët e Kosovës do t’i kishin veçmas. Autonomia e këtillë do t’i përfshinte komunat, pjesët e komunave dhe vendbanimet në të cilat serbët para zhvendosjes më 1999 ishin shumicë.
Gazeta e përditshme e Beogradit “Danas” më 30 nëntor 2005 shkruante që “Në planin e Qeverisë së Serbisë, pas aprovimit të tij në Kuvendin e Republikës kah fundi i prillit të vitit të kaluar, UNMIK-u dhe qeveria kosovare janë përgjigjur me Kornizën për vetëqeverisje lokale, duke u udhëhequr me parimin që reforma e vetëqeverisjes lokale e përmban dëshirën për përmirësimin e sigurisë dhe kushteve të jetesës për të gjitha bashkësitë në Kosovë.” Njëmend, në mbledhjen e mbajtur më 23 korrik 2004, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për aprovimin e Projekt-Kornizës për reformimin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Atëbotë, Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, iu pat përgjigjur pozitivisht kërkesës së përbashkët të Jakup Krasniqit, ministër i atëhershëm i shërbimeve publike, dhe Petr Ivantsov, Drejtor në Zyren e Çështjeve Politike të UNMIK-ut, për ta miratuar Dokumentin Kornizë për reformën e Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë, dokument ky që përbëhet nga 18 faqe dhe dy shtojca në tri faqe. Kështu Qeveria e Kosovës po i përgjigjigjej pozitivisht kërkesës së Serbisë. Decentralizimi, një projekt që nisi në Beograd, u bë edhe projekt i institucioneve të Kosovës. Punën e Qeverisë së Bajram Rexhepit me ministrin Jakup Krasniqi, e vazhduan mandej Qeveritë e Ramush Haradinajt, Bajram Kosumit dhe Agim Çekut me ministrin Lutfi Haziri kurse tash ajo e Hashim Thaçit me ministrin Sadri Ferati. Që të gjithë këta njerëz kanë përgjegjësi politike dhe historike për këtë kontribut të tyre në legalizimin e ndarjes së brendshme të Kosovës.
Nuk ka zyrtar të lartë të Serbisë që nuk ka publikuar një plan të vetin për ndarjen e brendshme të Kosovës. Mbase vetëm pasi të kenë pasur ndonjë plan të atillë politikanët e Serbisë arrijnë të bëhen zyrtarë të lartë të shtetit. Jo vetëm akademikët si Dobrica Qosiq, Aleksandar Despiq dhe Branislav Krstiq, por edhe politikanët që u bënë kryeministra e presidentë, si Zoran Gjingjiq, Boris Tadiq, Vojislav Koshtunica, pastaj Mirolub Labus e Nebojsha Çoviq, e deri te ambsadori aktual i Serbisë në Francë, Dushan Batakoviq, pra secili nga këta, kishin punim të vetin të elaboruar se si do të duhej të ndahej Kosova përbrenda. Ndryshonin ngapak vetëm hartat e tyre dhe emërtimet bazë të cilat kishin të njëjtin kuptim: Gjingjiq fliste për federalizimin e Kosovës, Tadiq për entitetin serb në Kosovë, kurse Batakoviq për kantonizimin e Kosovës. Ky i fundit, i cili para se të bëhej ambasador ka qenë këshilltar politik i Boris Tadiqit, për gazetën ditore të Beogradit “Veçernje Novosti”, më 16 maj 2005, pat deklaruar: “atë që unë më herët [në vitin 1998] e pata quajtur kantonizim, sot është, në rrethana të ndryshuara dhe me ca modifikime, modeli i decentralizimit”.
Në negociatat e Vjenës të mbajtura në vitet 2006 dhe 2007 Serbia i pat fituar gjithsej 10+1 komuna me shumicë serbe nga 19 sosh sa i pat kërkuar, por edhe mundësinë për komuna të tjera shtesë në vendbanimet me më shumë se 5.000 banorë ku së paku 75% janë serbë. Nuk është e rastësishme që komuna e Burimit është shënjestra e Serbisë sa i përket kthimit të serbëve në Kosovë. Në Burim, më kollaj se askund tjetër, ata do të mund ta shndërronin Osojanin në komunë nëpërmjet kthimit të serbëve.
Serbia është vendi i origjinës së projektit të decentralizimit në Kosovë. Ky projekt s’ka të bëjë me integrimin e serbëve në Kosovë. Përkundrazi. Decentralizimi për serbët në Kosovë i mirëmban negociatat e Kosovës me Serbinë përmes së cilave thellohet decentralizimi. Negociatat dhe decentralizimi ndodhen brenda të njëjtit kuadër ku riprodhohen ndërsjelltazi. Prandaj që të dyja këto e mbijetuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
* Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje