English

PD: Rama do të fusë në thasë pallatet 30 katësh, dhe ushtron terror mbi mediat

Tiranë, 8 shtator, NOA – Partia Demokratike ka denoncuar rishtas sot kryebashkiakun Edi Rama apo zotin “20 përqindësh” dhe kapon e bllokmenëve të rinj, se po ushtron dhunë dhe terror mbi mediat që ai kontrollon, duke iu kërkuar atyre të fusin në thesë pallatet 30 katëshe tek diga e Liqenit, me të cilat ai, nëpërmjet lepurit të tij, në shkëmbim të lejes së ndërtimit dhe planit të zhvillimit, ishte bërë aksioner me 20 % të ndërtimit, pra i fitimit prej 100 milionë eurosh vetëm në njërën kontratë.

Në emër të PD-së, deputeti Aldo Bumçi dënoi siç e quajti ai këtë megakorrupsion të dokumentuar të Mr. 20%-it, si majën e ajsbergut të korrupsionit të tij me lejet e ndërtimit.

Sipas Bumçit dokumentet zyrtare kanë faktuar se kërkesën në KRTSH për ndryshimin e destinacionit e ka bërë vetë zoti Rama dhe në këtë kërkesë nuk ka paraqitur asnjë plan ndërtimi dhe zhvillimi.

“Lepuri i Edvin Ramës, partneri i tij, më i ngushtë, është bërë aksioner në kompaninë Vizion Construction me 20 %, vetëm duke marrë përsipër planin e zhvillimit dhe lejet e ndërtimit”, theksoi deputeti Bumçi.

Në këtë kontekst, zoti Bumçi tha se “Mbi bazën e kësaj kontrate “Mr.20%”, ka hartuar planin e zhvillimit të zonës me ndërtime 30-35 kate, sepse vetëm kështu 20% i tij, vetëm në njërën kontratë, arrinte në 100 milionë euro”.

Deputeti Aldo Bumçi i bëri të ditur kryebashkiakut Rama, se përpjekjet e tij për të futur në thasë kullat 35 katëshe, janë qesharake dhe donkishoteske, pasi dokumentet e faktojnë atë si strumbullarin kryesor të korrupsionit në Shqipëri, por ndoshta edhe në Evropë.

mit/NOA
KOMENTE