Tiranë, 8 shtator, NOA – Forcat e policisë së Tiranës janë njoftuar në orët e mbrëmjes së djeshme se në mjediset e firmës “Kajmak”, në autostradën Tiranë-Vorë, gjatë një sherri për motive të dobëta është dëmtuar Naim Sela, i cili sipas një deklarate të Partisë Socialiste, u godit nga kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.
“Me marrjen e njoftimit, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat e kanë dërguar Naim Selën për ndihmë mjekësore pranë Spitalit Ushtarak Tiranë”, citon në komunikatën e lëshuar mbi këtë rast, Policia e Tiranës.
Më tej, ajo shton se vetë Sela ka dëshmuar që është goditur me grushta gjatë një sherri nga dy persona, përkatësisht Besnik Lala dhe Hektor Ajazi.
“Rreth orës 22.30’ është bërë i mundur identifikimi dhe shoqërimi në mjediset e policisë i këtyre dy personave. Dhe nisur nga gjendja e mirë shëndetsore e të demtuarit Naim Sela, u vlerësua se këta të dy, kanë konsumuar kundravajtjen penale, atë të “Plagosjes së lehtë me dashje” të parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal”, sqaron më tej komunikata e policisë.
Duke përfunduar se në këto kushte, të akuzuarit Besnik Lala dhe Hektor Ajazi, janë
pyetur mbi ngjarjen dhe më pas janë lënë në gjendje të lirë.
n.e/NOA