Tiranë, 8 shtator, NOA – Fiter Bajrami është dita kur besimtarët myslimanë tregojnë vlerat dhe virtytet më të mira të traditës së shqiptarit, ato të respektit dhe përkushtimit ndaj familjes dhe shoqërisë, të dhembshurisë dhe përkujdesjes ndaj atyre që sot janë më në nevojë, si dhe të tolerancës e zemërgjerësisë ndaj njerëzve.
Kështu e ka cilësuar ditën e madhe të festës së myslimanëve, në përfundim të muajit të shenjtë të Ramazanit, kreu i shtetit Bamir Topi, në një mesazh urimi dërguar gjithë besimtarëve.
Duke u uruar festën e Fiter Bajramit besimtarëve myslimanë shqiptarë kudo që ata ndodhen, përmes një mesazhi dërguar Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ai ka pohuar se në këto momente të festës e të gëzimit për ta pas një muaji të përkushtimit, agjërimit dhe respektimit të besimit, dëshiron të jetë pranë tyre me urimet më të ngrohta e të përzemërta.
“Dita e shenjtë në kalendarin islam është për të gjithë besimtarët myslimanë një çast reflektimi, besimi e maturimi i ndjenjës së sakrificës, mirëkuptimit, solidaritetit si dhe e dëshirës për të përcjellë tek njëri-tjetri mesazhe të paqes, të harmonisë dhe të dashurisë njerëzore, pa të cilat një shoqëri nuk mund të njohë zhvillim e begati”, përfundon mesazhi i presidentit.
n.e/NOA