English

PS, ministrit Ruli: Çmimi i lirë i truallit të ish ekspozitës, dëshmi e kapjes së shtetit nga pushtetarët

Tiranë, 8 shtator, NOA – Pas pyetjeve që Partia Socialiste i adresoi ditët e fundit ish ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, në lidhje me procesin e privatizimit të ish Ekspozitës “Shqipëria Sot”, Partia Socialiste doli sot në konkluzionin se ministri aktual Genc Ruli, edhe pse u prononcua një ditë më parë për mediat nuk i dha asnjë përgjigje pyetjeve të PS-së, duke nënkuptuasr faktin se ministri Ruli e ka të pamundur ta justifikojë këtë aferë, prapa së cilës qëndrojnë njerëz pranë tij dhe kryeministrit Sali Berisha.

Lidhur me këtë aferë të dalë në dritë së fundmi, deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Shalsi zbuloi në një konferencë për shtyp një vendim ku thuhej se në 26 nëntor të vitit 2008, Sali Berisha dhe qeveria e tij kanë miratuar çmimet e trojeve, që ndodhen në bashkitë e vendit, përfshirë këtu Bashkinë e Tiranës.

Duke e treguar vendimin e qeverisë, deputeti Shalsi deklaroi se “Ky vendim për zonën ku ndodhet ish Ekspozita “Shqipëria Sot” ka përcaktuar një çmim prej 426 000 lekësh për metër katror. Por shikoni ç’ndodh, vetëm pak metra më tutje, në anën tjetër të Lanës, po ky Sali Berishë në të njëjtën ditë me të njëjtin vendim, ka përcaktuar një çmim tjetër, prej 1 200 000 lekësh për metër katror, pra tre herë më të lartë”.

Zoti Shalsi tha sakaq se “Vetëm pak metra më tutje, në zonën e pallateve të Aviacionit, çmimi është po 1 200 000 lekë për metër katror, ndërsa tek rruga Myslym Shyri, vetëm pak metra prapa ish Eskpozitës po 1 200 000 lekë për metër katror”.

Deputeti Shalsi i kërkoi ministrit Ruli të shpjegojë arsyen pse trualli i ish ekspozitës “Shqipëria Sot” është më i lirë se zonat e tjera rreth e qark saj, dhe pikërisht 3 herë më lirë.

Sipas deputetit socialist logjika e këtij çmimi, ka vetëm një shpjegim, përmbushjen e interesave të oborrit të pushtetit, i cili sipas opozitës dikton çmimet as sipas logjikës racionale të tregut, as në funksion të interesit publik, por thjesht e vetëm në funksion të interesave klienteliste e familjare të oborrit të Sali Berishës.

Deputeti Eduart Shalsi siguroi se në ditët e ardhshme Partia Socialiste do të zbardhë elementë të tjerë të kësaj afere, që përbëjnë provën e radhës të kapjes së shtetit nga pushtetarët dhe familjarët e pushtetarëve.

mit/NOA
KOMENTE