Tiranë, 8 shtator, NOA - Qytetari Naim Sela ka denoncuar sot para mediave dhunën e pësuar sipas tij nga Hektor Ajazi (kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu) dhe truprojave të tij që mbajnë uniformën e punonjësve të rendit.
Sipas njoftimit rreth ngjarjes, publikuar nga Partia Socialiste, Naim Sela është në proces gjyqësor me Hektor Ajazin dhe në datën 15 të këtij muaji, sipas dëshmisë së qytetarit nga Preza do të zhvillohet edhe seanca e radhës e gjyqit.
Sela në dëshminë e tij para mediave, gjithmonë sipas njoftimit të lëshuar nga selia rozë, tregon se është goditur nga Hektor Ajazi fillimisht dhe më pas nga truprojat e tij.
E kjo, për shkak të një konflikti pronësie i cili aktualisht është në gjykatë, ku Sela është palë kundërshtare e H.Ajazit.
Gjatë rrëfimit për mediat në Spitalin Ushtarak në Tiranë, Naim Sela tregon se është dhunuar rëndë nga Ajazi dhe njerëzit e tij vetëm për të ndryshuar qëndrim në sallën e gjyqit.
“Askush nuk ishte në dijeni të kësaj ngjarje pavarësisht se ka 20 orë që ka ndodhur dhe shtetasi Sela ndodhet i shtruar në spital”, citon njoftimi i PS-së.
n.e/NOA