English

Zv/kryeministri: Përmirësimi i kodit, rruga më e sigurt për zgjedhjet

Nju Jork, 8 shtator, NOA “Duhet vullnet për të ngritur standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. Përgjigjja për kandidatët do të vijë në kohën e duhur nga forumet e LSI-së”.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, zv/kryeministri Meta komenton zhvillimet e fundit politike në Shqipëri duke theksuar se përmirësimi i ligjit zgjedhor është rruga më e sigurt për të garantuar standardet më të larta për zgjedhjet e ardhshme dhe jo përmes demagogjisë dhe akuzave bajate të këtyre 20 vjetëve.

Z. Meta, duke u kthyer tek zhvillimet më të fundit në Shqipëri, mosmarrëveshjet e shumicës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve të kaluara nuk duket se po sheshohen, ndërkohë që Shqipëria pret në vjeshtë përveç vendimit për liberalizimin e vizave, edhe opinionin e Komisionit Evropian për kërkesën e saj për statusin e vendit kandidat. Sipas jush a do të kenë ndikim këto mosmarrëveshje sidomos për çështjen e statusit të vendit kandidat?

Nuk jam shumë i azhornuar në mënyrë të detajuar me zhvillimet më të fundit por absolutisht besoj se rezoluta e PE-së është shumë e qartë se si duhet ecur përpara dhe shpresoj që opozita të realizojë në mënyrë të përgjegjshme, pasi kuptohet që e ardhmja evropiane e vendit është edhe një përgjegjësi e opozitës nuk është vetëm e mazhorancës.

Z. Meta, mosmarrëveshjet e partive politike duket se mund të pengojnë kryerjen e reformave elektorale, zgjedhjet lokale do të mbahen pas tetë muajsh. Sipas jush vonesat në bërjen e kësaj reforme do të kishin pasoja në cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme?

Është gjëja më absurde që një opozitë ose lidershipi i saj më mirë, që kërkon me të drejtë në parim transparencë për zgjedhjet e kaluara të pengojë, të vonojë ose të kushtëzojë bërjen e reformës zgjedhore kur dihet se përmirësimi i ligjit zgjedhor është rruga më e sigurt për të garantuar standardet më të larta për zgjedhjet në Shqipëri në të ardhmen. Kjo është krejtësisht absurde dhe e papranueshme.

Njëkohësisht duhet të theksojmë se pavarësisht nga ndonjë qëllim i cili nuk do të doja ta vlerësoja për të dëmtuar apo për të bllokuar mungesën e një reforme të drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse elektorale në Shqipëri, duhet të kenë parasysh se Shqipëria e ka një kod, i cili ka qenë më konsensual se çdo kod tjetër, kodin Berisha-Rama, të cilin ne natyrisht nuk e kemi mbështetur dhe për të cilin kemi patur rezervat tona që u konfirmuan edhe nga problemet që u vunë re ne zgjedhjet e kaluara, që janë reflektuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR-it për të ndryshuar kodin zgjedhor. Pra përsëri, Shqipëria e ka një kod në përgjithësi konsensual.

Pikërisht ju i kundërshtuat ndryshimet kushtetuese që u zhvilluan para zgjedhjeve të qershorit të 2009-s. A do të kërkoni në kuadër të reformës zgjedhore rishikimin e tyre?

Natyrisht ne kemi bërë publike një platformë shumë të qartë për reformën zgjedhore, kemi bashkëpunuar shumë ngushtë edhe me aktorë të shoqërisë civile të fokusuar në çështjet e demokracisë dhe të zgjedhjeve dhe shpresojmë që sidomos opozita por edhe të gjithë forcat e tjera politike të tregojnë vullnet duke ngritur standardet e zgjedhjeve në Shqipëri përmes ligjit dhe përmirësimit të tij dhe jo përmes demagogjisë dhe akuzave bajate të këtyre 20 vjetëve.

Z. Meta, Tirana përfaqëson dhe betejën më të fortë në zgjedhjet për pushtetin vendor. Ju keni nisur një proces përzgjedhjesh kandidatësh, ndërkohë që keni premtuar që këtë herë do të garoni në aleancë me PD-në. Kur është fjala për Bashkinë e Tiranës, si do të konkretizohet kjo aleancë?

Jemi shumë herët për të dhënë opinione lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore. Duhen ende 8 muaj dhe do të kemi kohë për t’i dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve kuptohet në mënyrë kolegjiale në forumet e LSI-së.

VOA

KOMENTE